Vendosni fjalën kyçe....

“Tregtari i vdekjes” – SHBA shkëmben me Rusinë tregtarin rus të armëve Viktor Bout për basketbollisten Brittney Griner


Liria e basketbollistes Brittney Griner varet nga lirimi i një tregtari të dënuar rus të armëve, historia e jetës së të cilit frymëzoi një film të Hollivudit.

Të enjten, një burim i tha CNN se ylli i basketbollit amerikan ishte liruar nga paraburgimi si pjesë e një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve, ku ajo do të këmbehet për Viktor Bout, i njohur me nofkën “Tregtari i vdekjes“.

Bout, një ish-oficer ushtarak sovjetik, po kryente një dënim me 25 vjet burg në Shtetet e Bashkuara. Ai akuzohet për komplot për të vrarë amerikanë, për blerjen dhe eksportimin e raketave anti-ajrore dhe ofrimin e mbështetjes materiale për një organizatë terroriste. Bout megjithatë pretendon se është i pafajshëm.

Kremlini ka kërkuar prej kohësh lirimin e Bout, duke e kritikuar dënimin e tij në vitin 2012 si “të pabazë dhe të njëanshëm”.

Griner e cila kishte luajtur për vite jashtë sezonit për një ekip rus të basketbollit për femra, u arrestua me akuza për kontrabandë droge në një aeroport në rajonin e Moskës në muajin shkurt. Pavarësisht dëshmisë së saj se e kishte paketuar pa dashje vajin e kanabisit të gjetur në bagazhin e saj, ajo u dënua me nëntë vjet burg në fillim të gushtit dhe u transferua në Mordovia në mes të nëntorit pasi humbi apelin e saj.

Familja e Griner i kishte kërkuar Shtëpisë së Bardhë që të siguronte lirimin e saj, duke përfshirë shkëmbimin e të burgosurve nëse ishte e nevojshme. Në qendër të ofertës së tyre ishte Bout, një njeri që iu shmang urdhërarresteve ndërkombëtare dhe ngrirjes së pasurive për vite me rradhë. Biznesmeni rus, i cili flet gjashtë gjuhë, u arrestua në një operacion në vitin 2008 të udhëhequr nga agjentët e zbatimit të drogës në Tajlandë, duke u paraqitur si Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, të njohura me akronimin FARC. Ai u ekstradua përfundimisht në SHBA në vitin 2010 pas një procesi gjyqësor të zgjatur.

“Viktor Bout ka qenë armiku numër një i trafikut ndërkombëtar të armëve për shumë vite, duke armatosur disa nga konfliktet më të dhunshme në mbarë globin.”- tha Preet Bharara, avokati amerikan në Manhattan kur Bout u dënua në Nju Jork në 2012.

“Ai më në fund u soll para drejtësisë në një gjykatë amerikane pasi ra dakord t’i jepte një numër të jashtëzakonshëm armësh të nivelit ushtarak për një organizatë të shpallur terroriste të angazhuar për të vrarë amerikanët.”

Gjyqi theksoi rolin e Bout në furnizimin me armë për FARC, një grup gueril që zhvilloi një kryengritje në Kolumbi deri në vitin 2016. SHBA tha se armët kishin për qëllim të vrisnin qytetarët amerikanë.

Por historia e Bout në tregtinë e armëve u shtri shumë më larg. Ai është akuzuar se ka mbledhur një flotë me avionë mallrash për të trafikuar armë të nivelit ushtarak në zonat e konfliktit në mbarë botën që nga vitet 1990, duke nxitur konflikte të përgjakshme nga Liberia në Sierra Leone dhe Afganistan.

Akuzat për aktivitete trafikimi në Liberi i shtynë autoritetet amerikane të ngrinin asetet e tij në SHBA në vitin 2004 dhe bllokuan çdo transaksion.

Bout ka pohuar vazhdimisht se ai drejtonte biznese legjitime dhe vepronte thjesht si një ofrues i logjistikës. Ai besohet të jetë rreth të 50-ave, me moshën e tij të diskutueshme për shkak të pasaportave dhe dokumenteve të ndryshme.

Viktor Bout është fotografuar në një qeli të përkohshme përpara seancës dëgjimore në një gjykatë në Bangkok në gusht 2010

“Ditët e tij të hershme janë një mister.”– i tha CNN-it në vitin 2010 Douglas Farah, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Ndërkombëtare të Vlerësimit dhe Strategjisë, i cili ishte bashkëautor i një libri mbi Bout.

Farah i tha revistës “Mother Jones” në vitin 2007 se sipas pasaportave të tij të shumta, Bout ka lindur në vitin 1967 në Dushanbe, Taxhikistan, dhe ishte djali i një llogaritareje dhe një mekaniku. Ai tha se Bout u diplomua në Institutin Ushtarak për Gjuhët e Huaja, një shkollë e njohur si “ushqyese” për inteligjencën ushtarake ruse.

“Ai ishte një oficer sovjetik, me shumë gjasa një toger, i cili thjesht pa mundësitë e paraqitura nga tre faktorë që erdhën me rënien e BRSS dhe sponsorizimi shtetëror që solli: avionë të braktisur në pistat nga Moska në Kiev, të paaftë më për të fluturuar për shkak të mungesës së parave për karburant ose mirëmbajtje; depo të mëdha armësh të tepërta që ruheshin nga rojet që merrnin papritmas pak ose aspak rrogë; dhe kërkesa në rritje për ato armë nga klientët tradicionalë sovjetikë dhe grupet e armatosura të sapo shfaqura nga Afrika në Filipine.”– tha Farah për revistën.

Bout ka thënë se ka punuar si oficer ushtarak në Mozambik. Të tjerë kanë thënë se në fakt ishte Angola, ku Rusia kishte një prani të madhe ushtarake në atë kohë. Ai u bë i njohur për herë të parë kur Kombet e Bashkuara filluan ta hetonin atë në fillim deri në mesin e viteve 1990 dhe Shtetet e Bashkuara filluan të përfshiheshin.

Bout i cili thuhet se ka përdorur emra duke përfshirë “Victor Anatoliyevich Bout”, “Victor But”, “Viktor Butt”, “Viktor Bulakin” dhe “Vadim Markovich Aminov” – mendohet të ketë qenë frymëzimi për personazhin e tregtarit të armëve të luajtur nga Nicolas Cage në filmin e vitit 2005 “Lord of War”.

Në vitin 2002, gazetarja e CNN-it Jill Dougherty u takua me Bout në Moskë. Ajo e pyeti për akuzat kundër tij, nëse u shiti ai armë talebanëve, për Al Kaedën, nëse i furnizonte rebelët në Afrikë dhe paguhej me diamante… dhe ai mohoi çdo pretendim.

“Është një pretendim i rremë dhe është një gënjeshtër.”- tha ai. “Unë kurrë nuk kam prekur diamante në jetën time dhe nuk jam një djalë diamanti dhe nuk e dua atë biznes.”

“Unë nuk kam frikë.”– i tha ai gazetares. “Unë nuk kam bërë asgjë në jetën time nga e cila duhet të kisha frikë.”

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNN/ Përshtati në shqip Hashtag.al