Dy të rinj janë arrestuar në Shkodër në dy operacionë të ndryshme.
Një 27-vjeçar me iniciale D.P. banues në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe është prangosur pasi ishte shpallur në kërkim për vrasje të dyfishtë. Ai dyshohet se më 3 tetor 2020, ka vrarë me armë zjarri në Vrith dy persona me iniciale V.Ç. e K.P
Në aksionin tjetër të policisë së Shkodrës është ndaluar një 19-vjeçar i cili akuzohet për vjedhjen e një dyqani celularësh.
Në pranga ka rënë i riu me iniciale Xh.B. ndërsa një adoleshent i dyshuar si bashkëpunëtor i tij është proceduar në gjendje të lirë për shkak të moshës.
Dyshohet se dy personat në fjalë më 6 dhjetor 2022 në lagjen ‘Vojo Kushi’ kanë thyer xhamin e një dyqani celularësh e kanë vjedhur disa aparatë celularë e pajisje të tjera elektronike.
Pas kontrollit në banesat e të arrestuarve, janë gjetur 9 aparate celulare, pajisje të tjera elektronike, një pistoletë manovër si dhe disa doza kanabis.
Njoftimi
“Malësi e Madhe/Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Vrith”, për kapjen e një personi në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Vihet në pranga 27-vjeçari, për vrasje të dyfishtë me armë zjarri.
Shërbimet e Komsiariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Shkodër, ndaluan shtetasin:
-D. P, 27 vjeç, banues në fshatin Vrith, Malësi e Madhe.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
27-vjeçari dyshohet se në fshatin Vrith, më datë 03.10.2020, ka vrarë me armë zjarri, shtetasit V. Ç. dhe K. P.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.”
Njoftimi
“Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Shop”, për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjes me thyerje, në një biznes (servis celularësh), ngjarje e ndodhur më 06.12.2022.
Vodhi me thyerje, aparate celulare dhe sende të tjera, në një biznes në Shkodër, vihet në pranga 19-vjeçari. Procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një 17-vjeçar, bashkëpunëtor i të arrestuarit.
Këtyre shtetasve iu gjetën në banesa dhe iu sekuestruan, disa nga celularët dhe sende të tjera të vjedhura, një pistoletë manovër, si dhe një sasi lënde narkotike kanabis, e ndarë në doza.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një vjedhje me thyerje, në një biznes (servis celularësh), në lagjen “Vojo Kushi”, Shkodër, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “Shop”, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë, me prova ligjore të këtij rasti, si dhe për nxjerrjen para përgjegjësisë penale të autorëve të tij.
Si rezultat, është arrestuar shtetasi Xh. B., 19 vjeç dhe janë referuar materialet e ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për një 17-vjeçar, të dy banues në Shkodër.
Këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 06.12.2022, në lagjen “Vojo Kushi”, Shkodër, kanë thyer xhamin e derës së një biznesi privat (servis celularësh) ku kanë marrë disa celularë dhe pajisje të tjera elektronike.
Në vijim, në kuadër të operacionit “Shop”, është ushtruar kontroll në banesat e këtyre shtetasve, ku janë gjetur 9 aparate celulare të markave të ndryshme, pajisje të tjera elektronike, një pistoletë manovër, si dhe një sasi lënde narkotike kanabis, e ndarë në doza.
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të tjera, të kryera nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.”