Vendosni fjalën kyçe....

Arben Ahmetaj hedh poshtë akuzat për korrupsion: Kam udhëtuar në gjithë botën


Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka mohuar t’i jenë paguar hotelet e udhëtimet jashtë vendit nga Klodian Zoto  i shpallur në kërkim, pronar i kompanisë Integrated Energy BV Shpk, që ka marrë koncesionet e inceneratorëve.

Në një koment për BIRN, ai tha se akuzat janë të pavërteta ndërsa nuk dha hollësi idhur me udhëtimet e tij jashtë vendit duke i konsideruar ato si private.

“Nuk është e vërtetë. Akuza publike apo jo publike le të ketë. Nuk ka asnjë lidhje. Unë kam qenë në gjithë botën mbarë.” – tha Ahmetaj.

Emri i Ahmetajt doli pasi gazetari Adriatik Doçi, kallëzoi në SPAK dy prokurorët Klodian Braho e Eneid Nakuçi, për fshehje provash ndaj Ahmetajt lidhur me hetimet për inceneratorin e Elbasanit.

Në kallëzimin e depozituar sot në SPAK,  gazetari Adriatik Doçi, akuzon dy prokurorët për fshehje provash për të mbrojtur Ahmetajn.

“Janë fshehur hetimet nga dy prokurorët e SPAK, për të mbrojtur Arben Ahmetajn. Kam kallëzuar Arben Ahmetajn për përfitimet që ka patur nga Klodian Zoto. Në kompjuterin e tij janë gjetur pagesa për ish-ministrin Ahmetaj.” – tha Doçi.

Prokurorët Braho e Nakuçi që po hetojnë dosjen nuk pranuan të komentojnë kallëzimin ndaj tyre, duke thënë se çështja është ende në hetim.