Ikona e popit Sir Elton John njoftoi të premten se po largohet nga Twitter duke përmendur shqetësimet për keqinformimin dhe drejtimin e platformës së mediave sociale nën pronarin e ri Elon Musk.
Këngëtari dhe kantautori shkoi në Twitter për të njoftuar largimin e tij nga rrjeti social, duke shkruar: “Gjatë gjithë jetës sime jam përpjekur të përdor muzikën për të bashkuar njerëzit. Megjithatë, më trishton kur shoh sesi keqinformimi po përdoret tani për të ndarë botën tonë. Kam vendosur të mos e përdor më Twitter-in, duke pasur parasysh ndryshimin e tij të fundit, që do lejojë që dezinformatat të lulëzojnë pa kontroll.”
Komentet e muzikantit 75-vjeçar vijnë pasi Musk, i cili bleu median sociale për 44 miliardë dollarë, tha se po jepte ‘amnisti të përgjithshme’ për llogaritë e pezulluara, të cilat kritikët pretendojnë se do t’u mundësonin ‘përhapësve të urrejtjes’ të ktheheshin në platform.
Të famshëm të tjerë që janë larguar që nga ardhja e Musk në krye të Twitter përfshijnë Whoopi Goldberg, Gigi Hadid e Jim Carrey.
Muajin e kaluar, pasi Musk rivendosi llogarinë e ish-Presidentit Donald Trump, vokalisti dhe kitaristi i White Stripes, Jack White e fshiu llogarinë e tij, duke e quajtur shefin e Tesla-s ‘absolutisht të neveritshëm’ dhe duke pretenduar se riktheu llogarinë e Trump sepse urren të paguajë taksa.
Producenti muzikor Trent Reznor deklaroi gjithashtu se duhej të fshinte llogarinë e tij në Twitter për të ruajtur ‘shëndetin e tij mendor’ dhe se marrja e platformës së mediave sociale nga Musk është një ‘turp’.