FBI ka lëshuar një paralajmërim për përditësimet e ardhshme të sigurisë për produktet e Apple, duke këmbëngulur se planet e kompanisë për të forcuar enkriptimin do ndërhyjnë në përpjekjet për të gjurmuar kriminelët dhe terroristët.
Agjencia lëshoi alarmin menjëherë pasi Apple njoftoi disa ‘karakteristika të përparuara të sigurisë’ që do prezantohen në muajt e ardhshëm, duke përfshirë mbrojtje të reja për skedarët e ruajtur në icloud. FBI-ja i tha Washington Post se është ‘thellësisht e shqetësuar nga lëvizja e fundit e Apple’.
“Kjo pengon aftësinë tonë për të mbrojtur popullin amerikan nga aktet kriminale që variojnë nga sulmet kibernetike dhe dhuna ndaj fëmijëve, te trafiku i drogës, krimi i organizuar dhe terrorizmi.” – tha një zëdhënës i paidentifikuar i FBI-së.
“Në këtë epokë të sigurisë kibernetike, FBI e partnerët e saj kanë nevojë për ‘qasje të ligjshme në informacione’.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit të SHBA dhe aleatëve kanë kërkuar prej kohësh që firmat e teknologjisë të ofrojnë qasje në të gjitha pajisjet, me FBI-në që shpesh përmend pasojat e një sulmi terrorist të vitit 2015 në San Bernadino, Kaliforni, kur agjentët nuk ishin në gjendje të hynin në një telefon Apple të përdorur nga sulmuesi. Megjithëse byroja i bëri presion kompanisë për ndihmë, Apple kundërshtoi, duke çuar në një betejë të gjatë ligjore.
Vetëm ndërmjet viteve 2015 dhe 2016, Apple mori të paktën 11 urdhra të veçantë të gjykatës për të ndihmuar policinë të kishte qasje në pajisje të ndryshme që mendohej se ishin të përfshira në aktivitet kriminal, por i kundërshtoi të gjitha.
Një gjykatë e qytetit të Nju Jorkut më vonë do arrinte në përfundimin se Apple nuk mund të detyrohej të zhbllokonte telefonat e saj në bazë të Aktit ‘All Ërits’ të vitit 1789, të cilin FBI e kishte cituar vazhdimisht në rastet e mëparshme.
Krahas agjencive në Britani e Australi, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka ushtruar presion të ngjashëm ndaj gjigantëve të tjerë të teknologjisë në të kaluarën.
Në vitin 2019, tre vendet lëshuan një letër të hapur për shefin e Facebook, Mark Zuckerberg, i cili argumentoi se ‘kompanitë nuk duhet të projektojnë qëllimisht sistemet e tyre për të përjashtuar çdo formë të qasjes në përmbajtje’.