Vendosni fjalën kyçe....

Hetimi për korrupsion, shoqërohet për t’u marrë në pyetje zv.presidentja e Parlamentit Evropian Eva Kaili


Eurodeputetja socialiste greke Eva Kaili, zv. presidente e Parlamentit Evropian, u shoqërua për t’u marrë në pyetje në Bruksel të premten në mbrëmje në lidhje me një hetim mbi korrupsionin e dyshuar që përfshin ‘një vend të Gjirit Persik.

Katër arrestime të tjera ishin bërë tashmë në kryeqytetin belg në mëngjes për të njëjtin rast. Mediat në Greqi dhe Belgjikë raportuan se një nga katër të arrestuarit është partneri i Kailit.

Partia socialiste greke PASOK, anëtare e së cilës është Kaili, njoftoi të premten në mbrëmje se deputetja ishte përjashtuar nga anëtarësia e saj.

Zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës tha se gjeti 600,000 euro dhe sekuestroi kompjuterë dhe telefona celularë në bastisjen e së premtes.

Ajo tha se hetimi ishte përqendruar te asistentët e parlamentit evropian, por një ish-eurodeputet ishte marrë në pyetje.

“Për disa muaj, hetuesit e Policisë Gjyqësore Federale kanë dyshuar se një vend të Gjirit ka ndikuar në vendimet ekonomike dhe politike të Parlamentit Evropian, kjo përmes pagimit të shumave të mëdha të parave ose duke u ofruar dhurata të mëdha palëve të treta me peshë politike ose strategjike brenda Parlamentit Evropian.” – thuhet në deklaratë.

Zyra e prokurorit nuk e përmendi vendin në qendër të hetimit. Deklarata e saj për shtyp i referohej vetëm një ‘shteti të Gjirit’ megjithatë gazeta belge Le Soir e identifikoi vendin si Katarin, ku po zhvillohet botërori i futbollit.

Katërshja e arrestuar nuk është emërtuar nga autoritetet belge, por ata besohet të jenë një drejtor i OJQ-së i paidentifikuar; lideri i sindikatave Luca Visentini; ish-deputeti i S&D, Pier-Antonio Panzeri dhe një burrë i identifikuar si F.G., ish-asistent parlamentar i Panzerit me lidhje me grupin S&D dhe partner i Eva Kailit.

Kaili, 44 vjeç, është një ish-prezantuese e televizionit grek dhe eurodeputete që nga viti 2014.

Të kontaktuara nga Euroneës, shërbimet e shtypit të Parlamentit Evropian thanë se “Parlamenti Europian nuk komenton procedurat gjyqësore”.