Fituesi i medaljes së artë olimpike, amerikani Gil Roberts, ka pranuar një pezullim prej 16 muajsh pasi rezultoi pozitiv për substanca të ndaluara, njoftoi të enjten Agjencia Amerikane Anti-Doping (USADA).
Roberts, 33 vjeç, doli pozitiv për andarinë dhe ostarinë në një mostër të urinës të mbledhur në maj.
Të dy substancat kategorizohen si ‘SARMs’ (modulues selektiv të receptorit androgjen) – një klasë e përbërësve terapeutikë që kanë veti të ngjashme me steroidet anabolike.
Roberts pohoi se substancat hynë në sistemin e tij përmes përdorimit të një suplementi dietik i cili nuk rendit përbërësit e ndaluar në etiketën e tij.
USADA e pranoi argumentin pas testimit laboratorik dhe e shtoi suplementin në listën e saj ‘rrezik i lartë”.
Roberts ishte pjesë e ekipit amerikan në garën me stafeta 4 x 400 metra, i cili fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Rio de Zhaneiros 2016.
Roberts ka qenë i përfshirë në polemika të lidhura me dopingun, duke i shpëtuar dënimit për një shkelje në vitin 2017, kur ai rezultoi pozitiv për probenecid, një agjent diuretik.
Roberts argumentoi se substanca hyri në trupin e tij pasi ai puthi ‘me pasion’ të dashurën e tij.
Atleti dështoi të hynte në ekipin e SHBA-së për Lojërat Olimpike të Tokios vitin e kaluar, duke përfunduar i shtati në provën kombëtare të 400 metrave.