Kandidati për bashkinë e Sarandës në Primaret e Partisë Demokratike Ilir Nikolla është tërhequr nga gara. Në një deklaratë për mediet sëbashku me deputeten Ina Zhupa, Nikolla njohu fitoren e Ardit Çikulit në primare.
Duke ndjekur shembullin e kandidatëve në Tiranë Ilir Alimehmeti dhe Belind Këllici, kandidati fitues në Sarandë Çikuli tha se Nikolla në rast fitoreje do ishte krahu i tij i djathtë në bashki, si nënkryetar.
“Iliri si njeriu i dytë më i votuar nga ju të nderuar demokratë, nesër do të jetë bashkëpunëtori më i mirë. Do të jetë nënkryetari i Bashkisë Sarandë.”- tha ai.
DEKLARATAT
Ina Zhupa: Procesi i Primareve ishte historik, jo vetëm për PD, por për të gjithë shoqërinë shqiptare, sepse ishte hera e parë ku anëtarët, simpatizantët e një force politike, shpreheshin me votë dhe me vullnetin e tyre të lirë, se kë donin që të ishte qytetari i parë, shërbëtori i parë i bashkive të tyre.
Në fakt jam shumë krenare që në Bashkinë Sarandë ne kishim një pjesëmarrje rekord të anëtarëve dhe simpatizantëve të PD. 1181 anëtarë dhe simpatizantë që votuan për të katërt kandidatët të cilët ishin në garën e Primareve në Bashkinë Sarandë.
Kjo pjesëmarrje na motivon, sepse tregon edhe njëherë besimin që kanë qytetarët për ndryshim, besimin që kanë për atë që vjen më pas, për shërbimin që do t’ju bëhet në Bashkinë e Sarandës.
Tregoj edhe njëherë që fryma e bashkimit është forcuar në Bashkinë Sarandë, dhe kjo frymë bashkimi ka sjellë këtë pjesëmarrje rekord. Nga Bashkia Sarandë, sot kemi një lajm shumë të mirë. Një lajm të jashtëzakonshëm për bashkimin dhe fitoren për bashkimin e kësaj bashkie.
Unë jam sot këtu me dy kandidatët që kanë dalë në balotazh, të cilët do t’i drejtohen qytetarëve të Sarandës, por edhe shqiptarëve të gjithë Shqipërisë me mesazhet e tyre. Z. Ilir Nikolla…
Ilir Nikolla: Faleminderit znj.deputete. Fjala ime e parë është një falenderim për lidershipin e PDSH, është një falenderim për deputeten e zonën, znj.Ina Zhupa, e cila mundësoi falë përpjekjeve të saj këtë format pajtues dhe bashkëpunues, për fitoren e padisuktueshme të PD për Bashkinë Sarandë.
Fjala e radhës është për demokratët e Sarandës. Jemi së bashku këtu me Arditin për t’i siguruar ata që beteja jonë ka vetëm një sukses, atë të fitores së 14 majit dhe për ne është detyrim.
Fjala e radhës është për qytetarët e Sarandës, të cilëve iu sigurojmë së bashku me Arditin që do t’ju kthejmë qytetit bukurinë dhe qytetarëve krenarinë e tyre të nëpërkëmbur. Dua ta mbyll me dy fjalë drejtuar pjesës tjetër të PDSH, e cila vazhdon të jetë në rrugën e drejtë pa krye.
Iu the atyre se vetëm bashkimi dhe vetëm bashkimi është modeli i cili do të sjellë fitoren e PDSH në zgjedhjet e radhës dhe në zgjedhjet e përgjitshme të rradhës. Faleminderit!
Ardit Cikuli: Të nderuar demokratë, të nderuar qytetarë të Sarandës.
Ashtu si i madhi Skënderbe na ka përçuar një mesazh shumë të vyer prej shekujsh që: ‘Bashkimi bën fuqinë’, ashtu si atëherë, ashtu veprojmë edhe ne sot. Iliri si njeriu i dytë më i votuar nga ju të nderuar demokratë, nesër do të jetë bashkëpunëtori më i mirë. Do të jetë nënkryetari i Bashkisë Sarandë.
Të gjithë bashkë do ia dalim. Do ia dalim të gjithë ne! Do ia dalim që fëmijët tanë, ta shikojnë Sarandën si një alternativë për të jetuar, dhe jo të emigrojnë. Mirë u takofshim për në betejën e 14 majit 2023.
Ina Zhupa: Faleminderit shumë! Ky ekip do të zgjerohet nga intelektualët, dhe nga qytetarët që do t’i bashkohen për fitoren e PD, për fitoren e qytetarëve të Sarandës më datë 14 maj…