Persona të maskuar sulmojnë ekipin gazetarëve në veri të Kosovës (VIDEO)


Sulmohet makina me të cilën po udhëtonin një ekip gazetarësh në Kosovë.

KALLXO raporton se incidenti ka ndodhur mëngjesin e sotëm, ku u sulmua nga persona të maskuar makina me të cilën po udhëtonin ekipi i saj, producenti Valdet Salihu dhe gazetarja Shkodrane Dakaj në afërsi të Shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut.

Sulmuesi thuhet se ka goditur me grushte makinën ndërsa janë hedhur edhe mjete të forta nga pjesëtarët e grupit.

Dy gazetarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime fizike, pasi u larguan me shpejtësi në drejtim të zonave të tjera të Mitrovicës.

Incidenti është kapur edhe në kamera.

Lidhur me incidentin ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), që e ka dënuar sulmin ndaj ekipit të Kallxo.com në veri të vendit.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar për sigurinë e gazetarëve, pas sulmit këtë mëngjes të një ekipi të Kallxo.com në veri të Mitrovicës.”– thuhet në reagimin e AGK.

Nga mbrëmë Mitrovica e Veriut është në tensione pas vendosjes së pjesëtarëve të policisë në këtë zonë.