Vendosni fjalën kyçe....

Yuri Kim drejt largimit, Berisha: Rama e flaku si limon i shtrydhur, do kishim protestuar për largimin e saj


Kryetari i Partisë Demokratike Sali ka reaguar lidhur me nisjen e procedurave për largimin e ambasadores amerikane Yuri Kim, pasi asaj i mbaron mandati në Janar.

Berisha komenton reagimin e qeverisë duke thënë se kryeministri Edi Rama e “flaku si limon të shtrydhur” ambasadoren, ndërsa vijon me akuza ndaj kësaj të fundit. Berisha madje shprehet se do kishin nisur protesta për largimin e saj.

“Nuk u habita me deklaratën e Edi Ramës me zëdhënësen Xhaçka. Por me këtë rast dua të theksoj se kemi të bëjmë me një flakje të një limoni të shtrydhur.

Në 100 vite marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve, nuk ka pasur ndonjëherë një diplomat amerikan që të ketë dëmtuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane më shumë se Yuri Kim. Sjelljet dhe veprimet e saj në Shqipëri nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat perëndimore të vendeve të lira, me parimet dhe nenet e konventave ndërkombëtare të respektimit të sovranitetit të një vendi, të respektimit të ligjeve të një vendi, por mbi të gjitha të respektimit të vullnetit të qytetarëve të zgjedhur.

Ajo zhvilloi një veprimtari tepër të padenjë për përfaqësuesin e një vendi të lirë, vendi partner, vendi mik. I ka lejuar të thërrasë në radhë si të ishin ushtarë, deputetët e Kuvendit kundër Sali Berishës, duke i përpunuar dhe kërcënuar. Kërcënimet, ofendimet e saj ndaj demokratëve, se do hanë bar nëse mbështesin Sali Berishën, dhunimi flagrant i sovranitetit të një vendi duke kërkuar mosfutjen e Sali Berishës në Kuvend, pasi kishte marrë mandatin nga sovrani, thirrjet ndaj elektoratit se kë duhet dhe kë nuk duhet të votojë, kundërshtimi i çdo konvente me kërcënimet ndaj gjyqësorit, këto janë akte të shëmtuara të saj, për të cilat garantoj se po të ishin dy faktorë, ndjenjat dhe admirimi i imi dhe mbështetësve të mi ndaj SHBA, dhe agresioni barbar rus ndaj Ukrainës, zonja në fjalë nuk do të ishte toleruar kurrë.

Me protesta paqësore, paqësisht do të ishte kërkuar largimi i saj sa më shpejt nga Shqipëria.”- tha Berisha.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, ka konfirmuar dje se kanë nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Por ende nuk mund të flitet se kush do e zëvendësojë.

“Në përgjigje të interesimeve të medias gjatë gjithë ditës dhe për të shmangur çdo spekulim mbi ‘heshtjen’ e MEPJ, konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente.”- shkruan Ministria e Jashtme.

Kim e ka nisur misionin në Shqipëri në janar 2020 ndërsa mandati i ambasadorëve amerikanë është tre vjet.