Vendosni fjalën kyçe....

Zhvlerësimi i Euros prek rekord të ri historik, monedha europiane bie për herë të parë poshtë 116 lekëve


Euro pësoi këtë javë një tjetër rënie të fortë në kursin e këmbimit me Lekun, duke zbritur për herë të parë poshtë nivelit të 116 lekëve.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 115.84 lekë, në rënie me 0.7 pikë që nga fillimi i javës dhe njëkohësisht vlera më e ulët e regjistruar ndonjëherë.

Agjentët e tregut shprehen për “Monitor” se në tregun valutor ka një ofertë të lartë për valutë. Jo vetëm aktorët e mëdhenj, si bankat tregtare, por edhe zyrat e këmbimit valutor, po mbajnë pozicione të theksuara në shitje, çka tregon se ato kanë gjendje të bollshme valute që kanë nevojë ta shesin. Një situatë e tillë nënkupton se tregu ka valutë me bollëk dhe kërkesë të dobët për të.

Kjo tendencë nuk është e re për tregun e këmbimit valutor, por gjatë këtij viti nënçmimi i Euros ishte frenuar pjesërisht nga blerjet periodike të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), për nevoja të importit të energjisë. Pas përmirësimit të situatës hidrike dhe prurjeve të lumenjve, në pjesën e dytë të muajit nëntor, KESH ka reduktuar importet dhe ka kryer madje edhe eksporte. Agjentët besojnë se të ardhurat nga eksporti i energjisë kanë krijuar disa rezerva valutore, që do ta reduktojnë nevojën e KESH për të blerë valutë, të paktën për një periudhë afatshkurtër.

Gjithashtu, edhe faktorët sezonale tashmë janë në favor të Lekut. Historikisht, muaji dhjetor dhe sidomos pjesa e dytë e tij shoqërohen me rritje të ofertës valutore, si rezultat i prurjeve nga turizmi i fundvitit dhe nga kthimi i emigrantëve. Për këtë arsye, gjasat janë që ky muaj të vazhdojë të karakterizohet nga nivele të ulëta të kursit të këmbimit Euro-Lek.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin 2022 deficiti i llogarisë korrente, përfaqëson balancën mes flukseve korrente hyrëse dhe dalëse të valutës në ekonomi, kishte vlerën e 469 milionë eurove, në rënie me 9.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithëse këtë vit deficiti tregtar në mallra ka vijuar të rritet, me 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, suficiti në shërbime u zgjerua me 39% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke dhënë kontributin kryesor në përmirësimin e bilancit të llogarisë korrente. Rritja e suficitit të llogarisë së shërbimeve erdhi sidomos nga zgjerimi i ndjeshëm i të ardhurave nga turizmi dhe nga fasoneria.

Për 6-mujorin e parë të vitit, të ardhurat neto në zërin e shërbimeve për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët (fasoneri) arritën në 340 milionë euro, 36% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe vlera më e lartë historike e regjistruar ndonjëherë. Ndërsa të ardhurat neto nga turizmi arritën në 338 milionë euro, në rritje vjetore me 17%. Kontribut pozitiv në uljen e deficitit të llogarisë korrente dhanë edhe të ardhurat dytësore, që konsistojnë në pjesën dërrmuese në të dërgesat të emigrantëve.

Lëvizjet në bilancin e pagesave janë në teori faktori kryesor që ndikon edhe ecurinë e kursit të këmbimit të Lekut, sidomos kundrejt Euros.

Euro është monedha dominuese në strukturën e importeve shqiptare, ndaj një nënçmim i saj kundrejt lekut e ul koston e importeve dhe zbut presionet e jashtme inflacioniste për ekonominë shqiptare. Efekti pozitiv i mbiçmimit të Lekut ndaj Euros në amortizimin e pjesshëm të inflacionit të importuar është theksuar shpesh këtë vit edhe nga Banka e Shqipërisë.

Për këtë arsye, forcimi i monedhës vendase në një periudhë të fortë inflacioniste duket të jetë në përfitim të ekonomisë shqiptare. Forcimi i Lekut ndihmon gjithashtu edhe huamarrësit në monedhën europiane, me të ardhura në Lekë, të zbusin pjesërisht efektin negative nga inflacioni dhe rritja e normave të interesit në buxhetet e tyre tregtare apo familjare. Këtu përfshihet edhe qeveria shqiptare, që përfiton një kosto më të ulët të shërbimit të borxhit në valutë të huaj.

Nga ana tjetër, zhvlerësimi i Euros ka një efekt negativ për bizneset eksportuese, që kanë të ardhura në Euro dhe shpenzime në Lekë, të lidhura sidomos me koston e punës. Një rast tipik është sektori i fasonerisë. Humbje nga dobësimi i Euros kanë edhe individët që mbajnë kursimet në monedhën europiane, megjithëse kjo është një konsideratë relative, për sa kohë që asetet afatgjata (por shpesh jo vetëm ato) në ekonominë shqiptare në përgjithësi kuotohen në Euro.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al