Vendosni fjalën kyçe....

A ishte deklarata e sotme e Yuri Kim një mesazh për Edi Ramën?


Pas një periudhe të gjatë ‘dashurie’, marrëdhënia mes kryeministrit Rama e ambasadores amerikane Yuri Kim duket se ka marrë një të krisur.

Në dy qëndrime të njëpasnjëshme në Twitter, përfaqësuesja e Uashingtonit në Tiranë thekson se SHBA-ja do vijojë të mbështesë institucionet shqiptare në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar ndërsa vlerësoi punën e SPAK-ut duke shtuar se mbështetja do intensifikohet në mënyrë që të korruptuarit të vihen para përgjegjësisë.

Deklarata e fortë e Kim vjen dy ditë pas një qëndrimi të pazakontë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, teksa SPAK pritet të zgjedhë kreun e ri që do zëvendësojë Arben Krajën dhe katër ditë pasi kreu i PD-së Berisha u godit në protestën e 6 dhjetorit.

Një ditë më parë, kryedemokrati bëri një deklaratë të ashpër ndaj saj duke thënë se Kim i ka dëmtuar keqazi marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe se opozita do kishte protestuar për largimin e saj.

Dy ditë më parë Ministria e Jashtme e Shqipërisë përmes një deklarate njoftoi se kanë nisur procedurat e zëvendësimit të ambasadores amerikane në Tiranë. Sipas ministrisë, sqarimi u bë pas interesimit të medias gjatë gjithë ditës e për të shmangur çdo spekulim.

“Në përgjigje të interesimeve të medias gjatë gjithë ditës dhe për të shmangur çdo spekulim mbi ‘heshtjen’ e MEPJ, konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente.” – shkruante Ministria e Jashtme më 8 dhjetor.

Një deklaratë e çuditshme duke qenë se zëvendësimi i ambasadorëve amerikanë është kompetencë e institucioneve më të larta amerikane, Presidentit e Senatit.

 

Dje kreu i PD-së Berisha, marrëdhënia e të cilit me ambasadoren amerikane Kim ka qenë e tensionuar prej shumë kohësh, që pas shpalljes së tij non grata e përjashtimit të tij nga PD-ja prej ish-kreut Basha, bëri akuza të rënda në drejtim të saj.

Ai tha se nuk ka asnjë diplomat amerikan që të ketë dëmtuar më shumë marrëdhëniet e SHBA-së me Shqipërinë sa Kim duke shtuar se opozita do kishte protestuar për ta larguar.

“Në 100 vite marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve, nuk ka pasur ndonjëherë një diplomat amerikan që të ketë dëmtuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane më shumë se Yuri Kim. Sjelljet dhe veprimet e saj në Shqipëri nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat perëndimore të vendeve të lira, me parimet dhe nenet e konventave ndërkombëtare të respektimit të sovranitetit të një vendi, të respektimit të ligjeve të një vendi, por mbi të gjitha të respektimit të vullnetit të qytetarëve të zgjedhur. Ajo zhvilloi një veprimtari tepër të padenjë për përfaqësuesin e një vendi të lirë, vendi partner, vendi mik. I ka lejuar të thërrasë në radhë si të ishin ushtarë, deputetët e Kuvendit kundër Sali Berishës, duke i përpunuar dhe kërcënuar. Kërcënimet, ofendimet e saj ndaj demokratëve, se do hanë bar nëse mbështesin Sali Berishën, dhunimi flagrant i sovranitetit të një vendi duke kërkuar mosfutjen e Sali Berishës në Kuvend, pasi kishte marrë mandatin nga sovrani, thirrjet ndaj elektoratit se kë duhet dhe kë nuk duhet të votojë, kundërshtimi i çdo konvente me kërcënimet ndaj gjyqësorit, këto janë akte të shëmtuara të saj, për të cilat garantoj se po të ishin dy faktorë, ndjenjat dhe admirimi i imi dhe mbështetësve të mi ndaj SHBA, dhe agresioni barbar rus ndaj Ukrainës, zonja në fjalë nuk do të ishte toleruar kurrë. Me protesta paqësore, paqësisht do të ishte kërkuar largimi i saj sa më shpejt nga Shqipëria.” – tha Berisha dje.

‘Përplasja’ Rama-Kim vjen teksa SPAK po heton dosjen e inceneratorëve, ndërsa ndaj prokurorëve të dosjes për inceneratorin e Elbasanit, Eneid Nakuçi e Klodian Braho ka një kallëzim, se kanë fshehur provat për të mbrojtur ish.zv-kryeministrin Arben Ahmetaj.

Në kallëzimin e gazetarit Adriatik Doçi, thuhet se pronari në kërkim i kompanisë Integrated Energy që ka marrë koncesionin e inceneratorëve ka paguar hotelet e udhëtimet e Ahmetajt, ndërsa këto fakte janë fshehur nga dyshja e prokurorëve.