Aktivist rus i të drejtave të njeriut Yan Rachinsky ka thënë për BBC se ai ishte urdhëruar të refuzonte çmimin Nobel për Paqe nga autoritetet ruse.
Rachinsky është nga organizata ruse Memorial, një nga tre fitueset e çmimit të këtij viti, së bashku me organizatën ukrainase të të drejtave të njeriut Qendra për Liritë Civile si dhe aktivisti Ales Bialiatski, i cili është në burg në Bjellorusi.
Siç shkruan BBC, Rachinsky zgjodhi të pranojë çmimin dhe në një intervistë u shpreh për këtë: ”Ne u këshilluam nga autoritetet tona të refuzojmë çmimin sepse ata i konsiderojnë të papërshtatshëm bashkë-laureatët. Natyrisht ne nuk e morëm në konsideratë këtë këshillë. Po, ka zëra të tillë dhe mund t’i kuptojmë disa prej tyre. Sepse lufta që po ndodh është monstruoze dhe ka prekur gjithë popullsinë e Ukrainës. Por mendoj se vendimi i Komitetit të Nobelit është i saktë sepse tregon se shoqëria civile nuk ndahet nga kufijtë kombëtarë, sepse është një trup i vetëm që punon për të zgjidhur probleme të përbashkëta”.
Më tej gjatë kësaj interviste, ai shprehet se “Në Rusinë e sotme, siguria personale e askujt nuk është e garantuar”. Kjo sipas për shkak të distancës së thellë mes Rusisë dhe vendeve të civilizuara.
Për më shumë se 30 vjet, Memorial punoi për të zbuluar fatet e viktimave të represionit politik sovjetik. Ai ekspozoi gjithashtu abuzimet e të drejtave të njeriut në Rusinë e sotme, përpara se të detyrohej të mbyllej.