Vendosni fjalën kyçe....

Barrikada, të shtëna me armë ndaj policisë e mbyllje pikash kufitare, çfarë po ndodh në veri të Kosovës


Tejet e tensionuar është gjendja në veri të Kosovës. Grupe të armatosura kanë qëlluar me armë policinë teksa ajo po patrullon rrugët që të çojnë në pikat kufitare të Bërnjakut.

Më herët një numër serbësh u tubuan në rrugët që të çojnë në pikat kufitare të Rudarit, Jarinjës e Bërnjakut, duke bllokuar rrugën me bllokada.

Protesta e tyre erdhi pas ndalimit gjatë paradites së një ish-efektivi të Policisë së Kosovës, i cili akuzohet se ka lidhje me shpërthimet në veri ditët e fundit.

Presidentja Osmani thirri në një takim të jashtëzakonshëm partitë politike e në përfundim njoftoi se zgjedhjet në komunat e veriut do shtyheshin për në prill 2023.

Sipas kryetares së shtetit, Kosova i ka të gjitha mundësitë për të siguruar rendin e qetësinë por shtoi se qytetarët janë të frikësuar e kësisoj nuk do merrnin pjesë në zgjedhje. Osmani akuzoi ‘bandat kriminale’ në veri se marrin urdhra nga presidenti serb Vuçiç dhe se kërkojnë destabilizimin e vendit.

Deklaratat e Osmanit u pasuan nga sulme me armë ndaj policisë së Kosovës, e cila njoftoi se ishte sulmuar e ishte kundërpërgjigjur duke i zmbrapsur sulmet.

Ndërkohë presidenti serb Vuçiç deklaroi se do i kërkonte KFOR-it që të lejonte vendosjen e 1 mijë trupave serbe në veri të vendit.

E menjëhershme ishte përgjigjia e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili tha se Serbia kërkon të riktehet në kohën e Sllobodan Millosheviçit dhe se kërkon që çështja e Kosovës të shkojë në OKB e sa më larg BE-së.

Ai u bëri thirrje SHBA-së e BE-së që të dënojnë sulmin e orkestruar nga grupet e paligjshme të veri të Kosovës, që janë shndërruar në banda kriminale të etura për gjak e zjarr. Në fund Kurti u shpreh i bindur se kriminelët e rusofilët do dështojnë dhe se Kosova do fitojë.