Vendosni fjalën kyçe....

DASH vlerëson performancën e SPAK-ut: Ka arrestuar ish-ministra, deputetë, kryebashkiakë dhe prokurorë


Departamenti i Shteteve të Bashkuara (DASH) ka vlerësuar punën e Prokurorisë Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), duke e cilësuar si një ent të ri elitar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas DASH-it, muajt e fundit kjo organizatë ka arrestuar ish-zyrtarë dhe zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion.

“Me ndihmën e SHBA-së, Shqipëria krijoi Agjencinë Speciale Kundër Korrupsionit si një ent i ri elitar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Muajt e fundit, organi ka arrestuar ish-ministra, deputetë, gjyqtarë, oficerë policie, prokurorë, kryetarë bashkie dhe drejtues të krimit të organizuar.”– thuhet në vlerësimin e DASH-it.

Ky vlerësim u bë në blogun zyrtar të DASH-it, ku u vlerësuan “Kampionët Anti-Korrupsion 2022”.

Në takimin e dy ditëve më parë, Zëvendës Sekretari i DASH-it Todd D. Robinson i siguroi Arben Krajës në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit se SHBA do të vazhdojë të mbështesë edhe më fort SPAK-un “në ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit të nivelit të lartë.”