Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Kushtetuese urdhëron Kuvendin: Brenda 1 viti të garantohet vota e emigrantëve


Gjykata Kushtetuese kërkon që brenda një viti të plotësohet kuadri ligjor për të mundësuar votën e emigrantëve.

Kështu Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, e cila kërkonte shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 21 prillit për shkak të mohimit të votës së emigrantëve. Padia u bë në shkurt të këtij viti.

Në vendim thuhet se Gjykata ka vendosur “konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor”.

Lidhur me këtë ka reaguar Sekretari për Diasporën në PD Indrit Hoxha. Ai shkruan se “Gjykata Kushtetuese detyron shtetin Shqiptar të plotësojë Kuvendin për plotësimin e kuadrit ligjor brenda 1 viti. Lajm i madh për bashkëatdhetarët tanë në Diasporë që më në fund do kenë mundësinë të votojnë nga vendet e ndryshme të botës ku janë rezident.”

VENDIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shqyrtoi në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e Shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, me objekt: “ Konstatimi i cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25.04.2021. Deklarimi i Urdhrit nr. 219, datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia” si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”. Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pika 1, shkronja “h”, të Kushtetutës, si dhe neneve 49, pika 3, shkronja “d”, 51/a, pika 1, shkronja “b” dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash ,

VENDOSI:

  1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
  2. Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor.
  3. Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
  4. Pushimin e gjykimit lidhur me Urdhrin nr. 219, datë 19.04.2021 të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.