Vendosni fjalën kyçe....

Globalizimi është ‘thuajse i vdekur’ – Themeluesi i kompanisë më të madhe të çipave në botë


Gjeopolitika ka ndryshuar në mënyrë drastike situatën me të cilën përballen prodhuesit e çipave, të cilët kanë luftuar me kufizime të shumta, sipas themeluesit të Korporatës së Prodhimit të Gjysëmpërçuesve (TSMC), Morris Chang.

Veterani i industrisë së çipave po fliste në një takim në Phoenix, Arizona, ku kompania e tij, prodhuesi kryesor në botë i gjysmëpërçuesve, zbuloi një plan ambicioz prej 40 miliardë dollarësh për të zgjeruar dhe përmirësuar fabrikën e saj të re aty.

Është fabrika e parë e përparuar e çipave të TSMC në Shtetet e Bashkuara në më shumë se dy dekada, dhe Chang tha se ka mbetur shumë ‘punë e vështirë’ për t’u bërë për ta kthyer atë në një sukses.

Përmirësimet thuhet se mund t’i mundësojnë fabrikës në Phoenix të prodhojë çipa për iPhone që mund të kryejnë gati 17 trilionë llogaritje të specializuara në sekondë. TSMC më vonë planifikon të ndërtojë një fabrikë të dytë atje që do shfaqë teknologji edhe më të zhvilluar, duke synuar telefonat e së ardhmes, kompjuterët dhe pajisjet e tjera inteligjente.

Duke folur me Nikkei Asi, Chang e krahasoi projektin e tanishëm me atë kur TSMC ndërtoi fabrikën e saj të parë në SHBA, në Camas, Uashington, në 1995.

“Kanë kaluar njëzet e shtatë vjet dhe industria e gjysmëpërçuesve dëshmoi një ndryshim të madh në botë, një ndryshim të madh të gjendjes gjeopolitike në botë.” – tha Chang, duke shtuar: “Globalizimi është pothuajse i vdekur dhe tregtia e lirë është pothuajse e vdekur. Shumë njerëz ende dëshirojnë që ato të kthehen, por nuk mendoj se do kthehen.”

Komentet e tij vijnë mes frikës në rritje se tensionet midis SHBA-së dhe Kinës mbi teknologjitë kryesore, duke përfshirë gjysmëpërçuesit, mund të dëmtojnë më tej zinxhirin global të furnizimit të teknologjisë.

Në tetor, Uashingtoni vendosi kufizime të reja, gjë që e bëri gjithnjë e më të vështirë për kompanitë si TSMC t’u shërbenin klientëve të tyre.