Vendosni fjalën kyçe....

“Grupe të caktuara kriminale na qëlluan tre herë me armë, u kundërpërgjigjëm” – Policia e Kosovës


Policia e Kosovës ka njoftuar se është sulmuar me armë zjarri tre herë mbrëmjene sotme pranë Liqenit të Ujmanit.

Sipas saj, sulmet kanë ndodhur gjatë patrullimit në rrugën që çon në pikën kufitare të Bërnjakut. Në njoftimin për mediat, policia thekson se u është kundërpërgjigjur me armë zjarri grupeve kriminale të cilat janë zmbrapsur.

“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut. Njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri. Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së sigurisë publike dhe rendit kushtetues.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Më herët presidenti serb Vuçiç tha se do i kërkojë KFOR-it të lejojë vendosjen e ushtrisë e policisë serbe në Kosovë.

Deklarata e Vuçiç erdhi pas tensioneve të ditëve të fundit në veri të Kosovës. Pak ditë më parë atje ndodhën disa shpërthime ndërsa sot serbët bllokuan rrugët duke vendosur barrikada.

Më herët Policia e Kosovës  arrestoi ish-efektivin e saj serb Dejan Pantiç, pasi akuzohet se ka lidhje me shpërthime në veri.

Pas tensionimit të gjendjes, presidentja Osmani mblodhi në një takim të jashtëzakonshëm krerët e partive politike, ku u vendos shtyrja e zgjedhjeve në veri për në 23 prill 2023.

Osmani akuzoi ‘bandat kriminale’ në veri se marrin urdhra nga presidenti serb Vuçiç dhe se kërkojnë destabilizimin e vendit.