Vendosni fjalën kyçe....

I dënuar me 12 vite burg në Itali, arrestohet 35-vjeçari në Laç


Arrestohet nga policia në Laç, Valentin Lleshi, një 35-vjeçar i cili ishte në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se është pjesë e një organizate kriminale që trafikonte drogë.

Ai ishte dënuar në shtetin fqinj me 12 vjet burg.

Sipas autoriteteve italiane, banda e shqiptarëve me origjinë nga zona e Shkodrës trafikonin drogë nga Holanda në Itali.

Anëtarët e bandës mes të cilëve dhe Lleshi u dënuan gjithsej me 63 vite burg gjithsej: Alfred Shabani, 43 vjeç, i dënuar me 11 vite burg e 1000 euro gjobë; Lulzim Halili, 37 vjeç, i dënuar me 11 vite burg e 1000 euro gjobë; Valentin Lleshi, 31 vjeç i dënuar me 11 vite burg e 1000 euro gjobë; Gëzim Shoshi, 57 vjeç, i dënuar me 21 vite burg e 1000 euro gjobë.

Kreu i bandës dyshohet se ishte Gëzim Shoshi, i cili merrej me administrimin e parave për blerjen e kokainës në Hollandë, si dhe me shpërndarjen në Lombardi.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet nga Policia e Kurbinit dhe Interpol Tirana, operacioni policor i koduar “Torino”.

Kapet në Laç dhe arrestohet, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, 35-vjeçari i dënuar me 12 vite burgim, si pjesëtar i një organizate me aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve.

Shërbimet e DVP Lezhë, ato të Policisë së Kurbinit dhe të Interpol Tiranës, të mbështetur nga inteligjenca informative mbi vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, si dhe në vijim të punës për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Torino”, si rezultat i të cilit u kap në Laç dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin, shtetasi:

– Valentin Lleshi, 35 vjeç, banues në Kurbin, pasi Gjykata e Apelit e Torinos, Itali, e ka dënuar me 12 vite burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në formën e organizatës kriminale, parashikuar nga Kodi Penal italian. 35-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 10 vjet burgim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma dhe agjencitë ligjzbatuese, vijon procedurat për ekstradimin e 35-vjeçarit drejt Italisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.