Vendosni fjalën kyçe....

Indrit Hoxha për vendimin e Kushtetueses: Lajm i shkëlqyer, e drejta e diasporës për të votuar është instrument që largon Ramën


Sekretari për Diasporën në PD Indrit Hoxha ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të detyruar Kuvendin që brenda një viti të plotësojë kuadrin ligjor për të mundësuar votën e emigrantëve.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Hoxha tha se me këtë vendim, afrohet si asnjëherë më parë mundësia e shqiptarëve të diasporës që të votojnë në zgjedhje në atdheun e tyre.

Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se “ka bërë çmos, siç veproi në zgjedhjet e fundit parlamentare, për t’i mbajtur larg kutive të votimt shqiptarët e mërgatës. Kujtoni rastin e mbylljes së kufijve me Greqinë në vitin 2021, vetëm e vetëm që rivali politik i kandidatit të tij në Gjirokastër, me influencë ndër shqiptarët e Greqisë dhe minoritarët, të mos i merrte dot votat e tyre.”

Sekretari për Diasporën në PD shton se e drejta për të votuar e diasporës, është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut. Ai e konsideron gjithashtu një instrument për të larguar Ramën.

DEKLARATA E HOXHËS

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dritën e gjelbër votës së emigrantëve shqiptarë dhe i ka nxjerrë kartonin e kuq qeverisë Rama.

Me një vendim të trupës më të lartë gjyqësore të Republikës, mundësia e shqiptarëve të diasporës që të votojnë në zgjedhje në atdheun e tyre, afrohet si asnjëherë më parë.

Kushtetuesja ka vendosur një afat 1 vjecar, që nga hyrja në fuqi e vendimit, që do të thotë se deri në dimrin e vitit tjetër qeveria është e detyruar të ketë gati infrastrukturën elektorale për shqiptarët e diasporës.

Ky është një lajm i shkëlqyer për të drejta e shqiptarëve dhe Partia Demokratike, e lindur më 11 dhjetor 1990 nga ëndrra e votës së lirë, e përshëndet vendimin.

Qeveria Rama ka ardhur në pushtet në vitin 2013 duke ofruar si një prej premtimeve të mëdha votën e migrantëve. Këtë herë nuk mund të themi se Rama ka dështuar. JO! Ai nuk e ka patur kurrë në plan dhënien e së drejtës së votës shqiptarëve që jetojnë jashtë. Që pas futjes në politikë të dy sistemeve: të të fortëve lokalë dhe patronazhistëve, Edi Rama e ka kuptuar se shqiptarët e diasporës nuk mund të blihen dhe as të manipulohen nga bracat e tij elektoralë. Kjo e ka bërë të padëshirueshme votën e emigrantëve shqiptarë.

Ai ka bërë çmos, sic veproi në zgjedhjet e fundit parlamentare për t’i mbajtur larg kutive të votimt shqiptarët e mërgatës. Kujtoni rastin e mbylljes së kufijve me Greqinë në vitin 2021, vetëm e vetëm që rivali politik i kandidatit të tij në Gjirokastër, me influencë ndër shqiptarët e Greqisë dhe minoritarët, të mos i merrte dot votat e tyre.

Partia Demokratike mbështet dhe do të inkurajojë të gjithë nismat dhe vendimet që shqiptarët, këtu dhe jashtë vendit të votojnë të lirë. Pa kthimin e votës së lirë Shqipëria është në rrezik dhe demokracia një iluzion.

E drejta për të votuar e diasporës, jo vetëm është një instrument për të larguar Ramën, por është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut.