Vendosni fjalën kyçe....

Inskenoi vdekjen në Shqipëri, arrestohet në Itali ish-gjyqtari Davide Pecorelli


Ish-gjyqtari italian i futbollit Davide Pecorelli, i cili inskenoi zhdukjen e më pas vdekjen në Shqipëri, është arrestuar në Itali e pritet të ekstradohet.

Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare tetorin e vitit të kaluar. Sipas njoftimit të policisë së Perugias, Pecorelli inskenoi vrasjen e tij në Shqipëri për të shmangur borxhet në Itali.

Ngjarja ndodhi në janar 2021, ku Pecorelli i vuri flakën mjetit ‘Skoda’ të marrë me qira në fshatin Rras të Pukës, brenda të cilit u gjetën mbetje njerëzore për ta bërë sa më të besueshme ngjarjen. Pas zhdukjes së tij, një ekip hetuesish italianë mbërritën në Shqipëri.

Pas kryerjes së analizës ADN të eshtrave të gjetura, doli se ato nuk i përkisnin gjyqtarit të zhdukur.  Ai u gjet i gjallë më 17 shtator 2021 në ishullin Montecristo në Itali. Pas arrestimit sot, ai do ekstradohet drejt Shqipërisë për t’u përballur me drejtësinë.