Vendosni fjalën kyçe....

Koreja e Jugut i kërkon BE-së të bashkohen kundër SHBA-së


Seuli e Brukseli duhet të bashkërendojnë përgjigjet e tyre ndaj një pakete subvencionesh në shkallë të gjerë të miratuar nga SHBA-ja, tha të premten në një intervistë me EURACTIV ministri i Tregtisë së Koresë së Jugut Dukgeun Ahn.

Akti i Reduktimit të Inflacionit (IRA), një plan 430 miliardë dollarësh për mbrojtjen e klimës dhe investimet sociale i miratuar nga Kongresi i SHBA-së në gusht, është krijuar për të luftuar inflacionin dhe për të ulur çmimet e energjisë, si dhe për të trajtuar ndryshimet klimatike.

Megjithatë, ai përfshin gjithashtu subvencione masive për makinat elektrike dhe bateritë e prodhuara në SHBA, duke shkaktuar shqetësime të mëdha se prodhuesit evropianë dhe koreano-jugorë do jenë dukshëm në disavantazh.

Ahn tha se Koreja e Jugut dhe Bashkimi Evropian duhet të punojnë së bashku për të zhvilluar një përgjigje ndaj IRA-s, e cila u miratua nga Kongresi amerikan në gusht. BE-ja beson se ligji shkel rregullat e konkurrencës, pasi ofron stimuj për blerësit e automjeteve elektrike amerikane.

“Ka një hapësirë ​​të madhe për BE-në e Korenë për të punuar së bashku dhe për ta bërë sistemin [IRA] më të pajtueshëm me OBT-në, në mënyrë që të mos shkaktojë telashe të panevojshme për pjesët strategjike të rëndësishme të industrisë sonë.” – tha Ahn.

Ahn sugjeroi se BE-ja dhe Koreja e Jugut mund të punojnë me administratën amerikane ‘për të zvogëluar ndikimin diskriminues të IRA-s’, e cila ofron lehtësira ‘bujare’ tatimore për kompanitë amerikane që investojnë në energji të pastër dhe subvencione të konsiderueshme për automjetet elektrike vendase, bateritë dhe projektet e energjisë së rinovueshme.