Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur deklaratës së presidentit serb Vuçiç se do i kërkojë KFOR-it të lejojë futjen e një mijë trupave serbe në veri të vendit.
Në një shënim në Facebook Kurti thekson se Serbia kërkon kthim në kohën e Millosheviçit dhe që çështja e Kosovës të shkojë në OKB e sa më larg BE-së.
Ai ka theksuar se strukturat e paligjshme të Serbisë në veri janë kthyer në banda kriminale që duan zjarr e gjak.
Kurti i bën thirrje SHBA-së e BE-së të dënojnë me vendosmëri dhunën në të kundërt Beogradi do nxitej edhe për më shumë dhunë e destabilizim të Kosovës.
“Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së. Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së. Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak. Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës. Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuçia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë.” – shkruan Kurti.