Vendosni fjalën kyçe....

Princi i Kurorës Saudite u angazhua personalisht në bisedimet SHBA-Rusi për lirimin e basketbollistes Brittney Griner


Basketbollistja amerikane Brittney Griner u lirua me ndihmën e Princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.

Kjo gjë u konfirmua nga ministri i jashtëm i mbretërisë, Princi Faisal bin Farhan. Ai tha se princi i kurorës kishte ndërmjetësuar bisedimet SHBA-Rusi për shkëmbimin e të burgosurve.

 “Unë jam i vetëdijshëm për përpjekjet personale të lartësisë së tij në lidhje me basketbollisten dhe angazhimin dhe ndërhyrjen e tij personale për të lehtësuar këtë lirim.”– u tha ai gazetarëve në Riad, citon Alarabiya News.

Mirëpo Uashingtoni ka mohuar çdo ndërmjetësim, duke thënë se bisedimet ishin midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Mohimi u bë pas një deklarate të përbashkët mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, që thoshte se presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Princi Mohammed udhëhoqën përpjekjet e ndërmjetësimit.

Pasi konfirmoi ndihmën e princit saudit, Princi Faisal bin Farhan u tha gazetarëve: “Sa i përket asaj që thonë të tjerët, nuk mund ta komentoj këtë.”

Shkëmbimi i basketbollistes Griner me tregtarin rus të armëve Viktor Bout u zhvillua në një aeroport në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi.

Arabia Saudite kishte shënuar një fitore diplomatike në shtator duke siguruar lirinë për luftëtarët e huaj të kapur në Ukrainë, në një kohë tensioni midis Riadit dhe Uashingtonit, lidhjet e të cilëve janë tensionuar për të drejtat e njeriut, furnizimet me naftë dhe Rusinë.

Siç shkruan Alarabiya News, Riadi i ka rezistuar presionit perëndimor për të ndihmuar në izolimin e Rusisë.

Princi Faisal, në një konferencë shtypi gjatë një vizite të presidentit të Kinës në mbretëri, tha se Arabia Saudite nuk beson në zgjedhjen e palëve dhe kërkoi të bashkëpunojë me të gjitha fuqitë ekonomike, përfshirë rivalët e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.