Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim i fuqishëm në një bllok banesash në ishullin britanik, një i vdekur, dy të plagosur dhe rreth 12 njerëz të zhdukur


Një person ka humbur jetën pas një shpërthimi në një pallat në ishullin Jersey, mes Francës dhe Anglisë. Ai është ishulli më i madh i Ishujve të Kanalit dhe i përket Britanisë.

BBC raporton se rreth 12 persona janë zhdukur dhe dy të tjerë janë duke u trajtuar në spital pas shpërthimit pasi kanë mbetur të plagosur.

Kërkimet janë duke u zhvilluar dhe shefi i policisë Robin Smith tha se priste që kjo të zgjaste “disa ditë”.

“Është një skenë mjaft shkatërruese… skena është shumë e rrezikshme për të gjithë stafin tonë.”– tha ai.

Ai tha: “Nuk e di numrin e saktë të banesave të shkatërruara, por kemi një ndërtesë trekatëshe që është shembur plotësisht.”

Smith konfirmoi se shërbimi zjarrfikës kishte shkuar në vendngjarje të premten mbrëma pasi u raportua era e gazit. Shërbimet e urgjencës thanë se zjarri i shkaktuar nga shpërthimi ishte shuar dhe forcat e policisë thanë se po përdorin burime të specializuara për të gjetur “këdo të bllokuar në rrënoja”.

Një nga banorët, Anthony Abbott tha se apartamenti që ai ndan me gruan e tij ishte dëmtuar rëndë nga shpërthimi.

Ai tha: “Ne dëgjuam një shpërthim rreth orës katër të mëngjesit të sotëm, u ngritëm dhe i gjetëm mbeturinat në banesë, të gjitha dritaret ishin thyer, shkallët ishin dëmtuar dhe kishte zjarr kudo jashtë.

Ishte shumë, shumë shqetësuese. Kishte fëmijë të vegjël në banesë, ne i ndihmuam të dilnin dhe i zbritëm… strehimi dhe të gjithë kanë qenë shumë të mirë me ne për momentin… duke na ndihmuar.”

Anthony Abbott

Një banore tjetër përshkroi se u zgjua nga ajo që mendonte se ishte një tërmet rreth orës 03:50.

“Shtrati filloi të dridhej dhe pati një zhurmë të madhe.”– tha ajo.

“Kam kontrolluar në internet për lajme në lidhje me një tërmet apo rrufe, nuk e kisha idenë se çfarë ishte.”

Qeveria ka ripërdorur linjën e saj të ndihmës Covid për ata që kanë nevojë për mbështetje pas incidentit.

Reporteri i BBC Jersey, Chris Craddock, i cili ishte afër vendit të ngjarjes më herët, tha: “Mund të shihje xhama, shkëmbinj, mund të shihje gurë të shpërndarë nëpër zonë si në trotuar ashtu edhe në rrugë.”

Kryeministrja Kristina Moore tha se ishulli kishte parë “çfarë force të mahnitshme kemi në shërbimet tona të urgjencës”, me 21 oficerë policie, nëntë ndihmës mjekë dhe 19 zjarrfikës të vendosur në vendngjarje.

“Doja të falenderoja nga zemra këtë mëngjes për të gjitha shërbimet e urgjencës që morën pjesë.”- tha ajo. Zonja Moore tha se kishte qenë tashmë “një javë e vështirë për banorët e ishullit”, pasi kapiteni dhe dy anëtarët e ekuipazhit të një varke peshkimi u zhdukën pas një përplasjeje me një traget të enjten.

Qeveria e Jersey u ka kërkuar banorëve të ishullit që të mos shkojnë në Departamentin e Emergjencave “nëse nuk është absolutisht e nevojshme”.

Ekipi i emergjencave tha se zjarri ishte shuar, por puna ishte në vazhdim për gjetjen e të mbijetuarve