Vendosni fjalën kyçe....

“Vepër direkte e Ramës” – Tedi Blushi për sulmin ndaj faqes së “Syri.net” në “Facebook”


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar lidhur me sulmin kibernetik ndaj faqes së SYRI.net në Facebook.

Blushi shkruan se kjo është “vepër direkte” e kryeministrit Edi Rama në vazhdën e sulmeve të tij ndaj medieve. Ai bën thirrje për largimin e Ramës nga qeveria.

“Mbyllja e faqes së medias opozitare www.syri.net në Facebook, ndër më të lexuarat, më të besueshmet dhe më seriozet në vend, është një krim i shëmtuar kibernetik qeveritar.

Kjo është vepër direkte e Edi Ramës, në vazhdën e urrejtjes patologjike dhe sulmeve permanente të tij ndaj lirisë së fjalës, pavarësisë së medias dhe çdo zëri kritik që nuk e ble dot.

Përdorimi shtetëror i tritolit, dhunës, presionit, shantazhit, gjobave, censurës, ‘riedukimit’ apo arrestimit të gazetarëve, sekuestrimit deri në mbylljen e plotë të mediave, dëshmojnë se ky regjim kriminal, hajdut dhe skizofrenik është armik i fjalës së lirë!

Vetëm largimi i Edi Ramës dhe bandës së ‘Rilindjes’ përmirëson lirinë e medias dhe garanton të drejtat e gazetarëve!” – shkruan Blushi.

Ditën e djeshme portali Syri.net ka denoncuar ekipet e kryeministrit Rama se kanë hakeruar faqen e tij në Facebook. Sipas medias, sulmi vjen pas goditjes së kreut të PD-së Berisha në protestën e 6 dhjetorit ndërsa shkaku i hakerimit janë raportimet e shumta nga portal se personi që goditi kryedemokratin është i infiltruar.