Vendosni fjalën kyçe....

32-vjetori i themelimit të PD-së, demokratët e festojnë të ndarë


Sot 32 vite më parë u themelua Partia Demokratike e Shqipërisë, por demokratët sot po e festojnë të ndarë këtë ditë.

Grupi i Enkelejd Alibeaj ka organizuar një takim festiv paradite, ndërsa Sali Berisha pasdite. 

 

MESAZHI I BERISHËS: Gëzuar ditëlindjen PD!

Ky i fundit ka publikuar një mesazh urimi në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas tij, përvjetori i themelimit të Partisë Demokratike është njëherazi edhe përvjetori i pluralizmit politik në Shqipëri.

“Gëzuar ditëlindjen e Partisë Demokratike! Gëzuar 32 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike njëherazi dhe pluralizmit politik në Shqipëri.”- shkruan Berisha.

MESAZHI I BASHËS: Mes sakrificash PD do ngrihet më e fortë

Një mesazh urimi nuk mund të mungonte as nga ish kryetari Lulzim Basha.

Ai pranon problemet në parti dhe thotë se PD mes sakrificash do ngrihet më e fortë.

“Partia Demokratike ka lindur e re dhe do të mbetet e re, ka lindur europiane dhe do të mbetet europiane, ka lindur kombëtare dhe do të mbetet kombëtare, ka lindur mes sakrificash, e mbi sakrificat do të ngrihet më e fortë, ka lindur si shpresë e shqiptarëve për ndryshim dhe do të jetë sërish shpresa e tyre, ka lindur e madhe dhe do të bëhet edhe më e madhe, për Shqipërinë, për demokracinë.

Gëzuar 32 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike! Zoti i bekoftë shqiptarët dhe Shqipërinë!”- shkruan Basha.

MESAZHI I ALIBEAJT: Do mbetemi parti e vlerave anti-komuniste

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj në një mesazh pak më të gjatë se dy të tjerët, shprehet se kjo forcë politike do mbetet partia e vlerave anti-komuniste.

Alibeaj tha mes të tjerash se çdo përpjekje për të vendosur interesa personale që deformojnë identitetin e PD-së “duke e kthyer atë nga një institucion i perëndimit për ta kthyer në një repart sulmesh kundër Perëndimit” është një moment që demokratët duhet ta kthejnë.

 “32 vite më pas në një atmosferë gëzimi ca momente reflektimi secili nga ne duhet ti bëjë. Më takon mua që në emër të PD, në emër të qendrëstarëve, njerëzve që kanë qëndruar dhe i janë bashkuar kauzës së PD-së. Kam arritur në një kohë kaq të shkurtër të vështirë të këtyre muajve të vitit të fundit më ka çuar tek gjeneza, tek misioni i PD-së atëherë kur lindi. Në fakt 3 kanë qenë misionet kryesore, të cilat mbaj mend dhe jemi ushqyer. I pari PD lindi dhe u krijua si nevojë për një formacion politik që të kthehej drejt Perëndimit. Edhe sot ky është një nga misionet kryesore. Shpallja e pluralizmit, zgjedhje të lira kthimi nga vlerat e perëndimit dhe të demokracisë, janë vlera që askush nuk mund dhe nuk duhet lejuar që të bëjë negociata.

Është kjo një vlerë që e kanë fort në zemër. Kjo ka qenë një nga vlerat, një nga komponentët që e bën një qytetar të Shqipërisë demokrat. Do mbetemi partia e vlerave anti-komuniste. Jemi njerëz të lirë e ti themi gjërat siç janë, Çdo tradhti çdo largim nga këto vlera është një tradhti ndaj demokratëve dhe PD-së, këtë duhet ta themi fort. Çdo përpjekje për të vendosur interesa personale që deformojnë identitetin e PD-së duke e kthyer atë nga një institucion i perëndimit për ta kthyer në një repart sulmesh kundër Perëndimit është një moment që duhet ta kthejmë. Duhet të bëjmë sakrificën sublime secili prej nesh. Askush nuk duhet të ndihet i joshur për të bërë negociata me këto vlera. Mendësia komuniste duhet të ishte larguar.”- tha Alibeaj në festimet e sotme.