Lufta e Rusisë në Ukrainë, kaosi në Haiti dhe dhuna në rritje nga grupet kriminale në Meksikë çuan në një rritje të mprehtë të numrit të gazetarëve të vrarë në detyrë në vitin 2022, sipas një raporti të ri të publikuar të premten.
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve tha se 67 gazetarë dhe staf mediatik janë vrarë në mbarë botën deri më tani këtë vit, nga 47 vitin e kaluar.
Grupi me bazë në Bruksel numëroi gjithashtu 375 gazetarë të burgosur aktualisht për punën e tyre, me shifrat më të larta në Kinë duke përfshirë Hong Kongun, Mianmarin e Turqinë. Raporti i vitit të kaluar renditi 365 gazetarë pas hekurave.
Me rritjen e numrit të punonjësve të medias të vrarë, IFJ dhe grupe të tjera të të drejtave të medias u kanë bërë thirrje qeverive të ndërmarrin veprime më konkrete për të mbrojtur gazetarët dhe gazetarinë e lirë.
“Dështimi për të vepruar vetëm se do nxisë ata që kërkojnë të shtypin rrjedhën e lirë të informacionit dhe të minojnë punën e gazetarëve për të vëë para përgjegjësisë të korruptuarit, qofshin këta në politikë apo jashtë saj.” – tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i IFJ, Anthony Bellanger.
Më shumë punonjës të medias, se në çdo vend tjetër këtë vit u vranë duke mbuluar luftën në Ukrainë, 12 gjithsej. Sipas IFJ shumica ishin ukrainas, por përfshinin edhe ata të kombësive të tjera, si regjisori amerikan i filmave dokumentarë Brent Renaud. Shumë vdekje ndodhën në javët e para kaotike të luftës, megjithëse kërcënimet ndaj gazetarëve vazhdojnë ndërsa luftimet zvarriten.
IFJ tha se ‘sundimi nga terrori i organizatave kriminale në Meksikë, dhe prishja e ligjit dhe rendit në Haiti, kanë ndikuar gjithashtu në rritjen e vrasjeve’. Viti 2022 ka qenë një nga më vdekjeprurësit ndonjëherë për gazetarët në Meksikë, e cila tani konsiderohet si vendi më i rrezikshëm për gazetarët jashtë një zone lufte.
Grupi regjistroi pesë vdekje të gazetarëve në mes të krizës politike të këtij viti në Pakistan dhe paralajmëroi për kërcënime të reja ndaj gazetarëve në Kolumbi dhe rrezik të vazhdueshëm për gazetarët në Filipine, pavarësisht udhëheqjes së re atje.
Ai gjithashtu bëri thirrje për zbardhjen e vrasjes së gazetares së Al Jazeera, Shireen Abu Akleh, teksa ajo po raportonte nga një kamp refugjatësh palestinezë. Rrjeti arab këtë javë i kërkoi zyrtarisht Gjykatës Ndërkombëtare Penale të hetojë vdekjen e saj.
IFJ me qendër në Bruksel përfaqëson 600,000 profesionistë të medias nga sindikatat dhe shoqatat në më shumë se 140 vende. Raporti u publikua në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.