Azerbajxhani i dërgoi të dielën një notë diplomatike Rusisë në lidhje me ‘shfrytëzimin e paligjshëm’ të burimeve natyrore në Karabakun e çliruar, pasi zyrtarët e tij u penguan të hynin në rajon një ditë më parë.
Ministria e Jashtme tha se Bakja zyrtare i bëri thirrje në mënyrë të përsëritur komandës së kontingjentit paqeruajtës rus në rajon për të parandaluar ‘shfrytëzimin e paligjshëm’ të burimeve natyrore dhe për të eliminuar ndikimin e tij negativ në mjedis, por pa rezultat.
“Sipas informacioneve të marra nga Azerbajxhani, vërehet shfrytëzim i paligjshëm dhe grabitje e burimeve natyrore, veçanërisht në minierat e arit në Kyzylbulag dhe të bakër-molibdenit në Demirli.” – thuhet në një deklaratë.
“Në përputhje me marrëveshjen e arritur, u kërkua edhe një herë që përfaqësuesve të Azerbajxhanit t’u sigurohet hyrje e papenguar në minierat e lartpërmendura.” – vijon nota e protestës.
Komunikata vuri në dukje se bisedimet u mbajtën mes dy palëve dhe një marrëveshje u arrit të shtunën, por megjithatë zyrtarët nga Bakuja u penguan të vizitonin zonën.
Deklarata shtoi se nota theksonte se është ‘e papranueshme të pengohet një udhëtim i tillë ose të vendoset ndonjë kusht’, duke theksuar nevojën që kontigjenti paqeruajtës rus të ‘respektojë rreptësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Azerbajxhanit në të gjitha veprimtaritë e tij’ në përputhje me marrëveshjen e paqes të nënshkruar mes Azerbajxhanit dhe Armenisë në nëntor 2020.