Kreu i PD-së Berisha tha sot se demokratët janë sot më të fuqishëm se në vitin 1990.
Gjatë fjalës në 32-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, kreu i saj tha se misioni bazë i saj është rikthimi i votës së lirë për shqiptarët.
Kryedemokrati përsëriti akuzat ndaj parardhësit Basha duke thënë se ai e shndërroi partinë në fasadë të qeverisë përmes takimeve e marrëveshjeve të fshehta e bizneseve të fshehta të Bashës me kryeministrin Rama.
“Sot jemi më të fuqishëm se çfarë ishim në 1990. Sot misioni bazë është të rikthejë votën e lirë për qytetarët shqiptarë. Motoja do të jetë, jetën e japim votën nuk e falim. PD dorëzoi pushtetin pas një gabimi me skemat piramidale në vitin 1997, ndaj një rebelimi të dhunshëm, i largoi me votë ata që erdhën në pushtet më dhunë në vitin 2005 dhe në vitin 2013 garantoi rotacionin. Në këtë kontekst, kjo histori është historia më demokratike e një force politike. Shtatë vite në opozitë ishin vite të një fatkeqësie të vërtetë.
Të jesh në opozitë nuk është kurrë turp. Je pushteti moral i vendit, sepse qëndron gardian i interesave të qytetarëve. Sepse nuk të josh asgjë tjetër veç interesit të qytetarëve. Por mjerisht, kjo nuk ndodhi me PD-në. Kjo parti, për shkak të takimeve të fshehta dhe marrëveshjeve të fshehta, për shkak të bizneseve të fshehta të kreut, të përziera dhe të papërziera me qeverinë, ajo u shndërrua në një fasadë të një qeverie që kalonte nga skandali në skandal. Dhe në zgjedhjet e 25 prillit, një besim i jashtëzakonshme i qytetarëve shqiptarë, u tradhtua. U shkelmua. Për interesa më të ulëta dhe meskine. Vetëm e vetëm që PD të shndërrohej në një aleate të PS-së së Edi Ramës.” – tha Berisha.