Një nga mjetet e eskortës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti është aksidentuar rrugës nga Mitrovica për në Gjilan. Lajmi është pohuar nga qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për shtyp. Sipas njoftimit nga aksidenti nuk ka pasur asnjë të lënduar.
“Rrugës për në Gjilan, një nga automjetet e eskortës së Kryeministrit Kurti ka pasur një aksident komunikacioni. Nuk bëhet fjalë për veturën në të cilën gjendej kryeministri. Për fat të mirë nuk ka të lënduar nga asnjëra palë e përfshirë në aksident.” – ka thënë zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu.
Kryeministri Kurti ishte pasditen e sotme në Mitrovicë pas tensioneve të ditëve të fundit në komunat në veri të Kosovës.
Pas shpërthimeve të para pak ditëve, ditën e djeshme serbët u tubuan duke bllokuar rrugët që të çojnë në pikat kufitare të veriut, Jarinjë e Bërnjak. Kjo çoi në mbylljen e këtyre pikave nga Prishtina zyrtare.
Gjatë mbrëmjes së djeshme persona të armatosur qëlluan me armë ndaj policisë së Kosovës gjatë patrullimit në rrugë, ndërsa grupet në fjalë sulmuan dhe gazetarë e forcat e EULEX-it.
Presidenti Vuçiç deklaroi dje se do i kërkonte KFOR-it të lejonte vendosjen e 1 mijë trupave serbe në veri të Kosovës.
Deklaratave të Vuçiçit iu përgjigj kryeministri i Kosovës Kurti i cili tha se si ish-ministër i Sllobodan Millosheviçit, Vuçiç kërkon të hapë luftë të re në Kosovë e rajon duke i bërë thirrje SHBA-së e BE-së të dënojnë sulmet e orkestruara nga Beogradi e Kremlini.
Më herët presidentja Vjosa Osmani, pas një takimi me krerët e partive politike, njoftoi shtyrjen për në prill 2023 të zgjedhjeve në komunat e veriut. Ajo akuzoi Beogradin si ideator e organizator të sulmeve ndaj institucioneve të Kosovës me qëllim destabilizimin e vendit duke theksuar se edhe kësaj here provokimet e Serbisë do dështojnë.