Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Xhaçka: Dënojmë ashpër sulmet ndaj EULEX-it


Ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar në lidhje me tensionet e fundit në veri të Kosovës.

Në një postim në “Twitter”, ministrja Xhaçka deklaron se Shqipëria dënon ashpër sulmet ndaj EULEX-it dhe policisë së Kosovës në veri. Ajo u bën thirrje serbëve të Kosovës të heqin barrikadat.

“Shqipëria dënon ashpër sulmet ndaj EULEX-it dhe në Policinë e Kosovës në veri të Kosovës. Ne i bashkohemi thirrjeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë për heqjen e menjëhershme të barrikadave nga grupet e serbëve të Kosovës. Është e rëndësishme të rivendoset qetësia dhe sundimi i ligjit.”- shkruan Xhaçka.

Ky reagim vjen pasi më herët EULEX njoftoi se mbrëmë kishin hedhur një bombë ndaj një patrulle vëzhguese të tyre në Rudare të Kosovës.

Për fat të mirë nga ky incident nuk njerëz të lënduar e as dëme materiale.

EULEX i konsideron të papranueshme këto sulme si ky por edhe sulmet e tjera ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe u bën apel të gjithëve të përmbahen nga veprimet provokuese.