Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk do t’i tolerojmë sulmet ndaj EULEX-it”- BE dhe NATO reagojnë pas incidenteve në Veri të Kosovës


Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell ka reaguar lidhur me sulmin ndaj EULEX-it në Veri të Kosovës.

Borrell thotë se Bashkimi Evropian nuk do t’i tolerojë sulmet.

“BE-ja nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it apo përdorimin e dhunës, dhe akteve kriminale në veri.

Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Qetësia duhet të kthehet. EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë veprimet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Gjithë akterët duhet të evitojnë përshkallëzimin.”– ka shkruar Borrell në Twitter.

NATO gjithashtu ka dënuar sulmin ndaj patrullës së EULEX-it në veri. Zëdhënësja Oana Lungescu ka deklaruar se çdo sulm i tillë është i papranueshëm dhe se autorët e këtij sulmi duhet të mbajnë përgjegjësi.

Ajo shtoi se misioni i KFOR-it në Kosovë mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për ta kryer atë në bazë të mandatit të OKB në vend.

“Ne bashkohemi me Aleatët e NATO-s dhe BE-së për të dënuar fuqishëm sulmin me granatë trullosëse ndaj një patrullë të EULEX-it mbrëmë. Çdo sulm i tillë është i papranueshëm dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi. Misioni i KFOR-it mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për ta kryer atë në bazë të mandatit të OKB në Kosovë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet dhe retorikën provokuese dhe të kontribuojnë për qetësinë dhe stabilitetin.”- shkruan Lungescu.

Këto reagime vijnë pasi më herët EULEX njoftoi se mbrëmë kishin hedhur një bombë ndaj një patrulle vëzhguese të tyre në Rudare të Kosovës.

Për fat të mirë nga ky incident nuk njerëz të lënduar e as dëme materiale.

EULEX i konsideron të papranueshme këto sulme si ky por edhe sulmet e tjera ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe u bën apel të gjithëve të përmbahen nga veprimet provokuese.

“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale. 

Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar.”- thuhet në njoftimin e EULEX-it i cili thekson se do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës si dhe ka kërkuar vendosjen e autorëve përpara drejtësisë.