Vendosni fjalën kyçe....

Rama dënon sulmet ndaj EULEX-it dhe Policisë në Veri të Kosovës: BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut


Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me tensionet e fundit në veri të Kosovës.

Në një postim në “Twitter”, ai dënon sulmet ndaj EULEX-it dhe policisë së Kosovës në veri. Sipas tij rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej situatën.

Kryeministri shqiptar thotë se BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.

“Sulmet mbi EULEX-in në Kosovë janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë,po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!

Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!

Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen, nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.” –shkruan Rama.