Vendosni fjalën kyçe....

Shiten në ankand për 114 mijë dollarë xhinset më të vjetra ndonjëherë, të prodhuara në vitin 1857


Të nxjerra nga një bagazh i një anijeje të mbytur në vitin 1857 në brigjet e Karolinës së Veriut, pantallonat e punës që zyrtarët e ankandit i përshkruajnë si xhinset më të vjetra të njohura në botë janë shitur për 114,000 dollarë.

Pantallonat e bardha dhe të rënda të minatorit me pesë kopsa përpara, ishin ndër 270 artefaktet e epokës së Gjuetisë së Arit, që u shitën për rreth 1 milion dollarë në Reno fundjavën e kaluar, sipas Holabird Western American Collections.

Ka mosmarrëveshje nëse pantallonat e vjetra kanë ndonjë lidhje me babain e xhinseve blu moderne, Levi Strauss, pasi ato duket se janë 16 vjet më të vjetra se xhinset e para të prodhuara zyrtarisht nga Levi Strauss & Co. me qendër në San Francisko në vitin 1873.

Dëshmitë historike sugjerojnë se ka lidhje me Strauss-in, i cili ishte një tregtar i pasur asokohe dhe pantallonat mund të ishin një version shumë i hershëm i asaj që do bëheshin xhinse ikonë.

Por historiania e drejtoresha e arkivit të kompanisë, Tracey Panek, thotë se çdo pretendim për origjinën e tyre është ‘spekulim’.

“Pantallonat nuk janë të Levi’s dhe as nuk besoj se janë pantallona pune minatori.” – shkroi ajo në një email për Associated Press.

Pavarësisht nga origjina e tyre, nuk mund të mohohet se pantallonat janë bërë përpara se anija, ku u gjetën artefaktet, të goditej nga një uragan i fuqishë më 12 shtator 1857, në udhëtimin nga San Francisko drejt Nju Jorkut nëpërmjet Panamasë.

Artikuj të tjerë të ankandit që ishin varrosur për më shumë se një shekull në rrënojat e anijes në thellësinë 2,195 metra nën sipërfaqen e Oqeanit Atlantik përfshinin çelësat e magazinimit të dhomës së thesarit ku ruheshin tonelata monedhash ari dhe lingota ari.

Kapaku i një kutie thesari Wells Fargo & Co. që besohet të jetë më i vjetri i këtij lloji, u shit për 99,600 dollarë. Një pistoletë xhepi Colt e vitit 1849 u shit për 30,000 dollarë. Një monedhë ari prej 20 dollarësh, e prerë në San Francisko në vitin 1856 dhe më vonë e stampuar me një reklamë farmacie në Sacramento, solli 43,200 dollarë.

Nga ata që ishin në bord kur anija ‘S.S. Amerika Qendrore; u mbyt, 425 vdiqën dhe 153 u shpëtuan.