Pas javësh sulmesh ajrore vdekjeprurëse turke në Sirinë veriore, forcat kurde dhe lojtarët ndërkombëtarë po përpiqen të vlerësojnë nëse kërcënimet e Ankarasë për një pushtim tokësor janë serioze.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka paralajmëruar vazhdimisht për një inkursion të ri tokësor për të larguar grupet kurde nga kufiri turko-sirian, pas një sulmi terrorist me bombë në Stamboll me 13 nëntor, ku humbën jetën 6 persona.
Autoritetet turke fajësuan për sulmin Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, dhe Njësitë e Mbrojtjes së Popullit me bazë në Siri, ose YPG. Të dyja ndërkohë kanë mohuar përfshirjen.
Më 20 nëntor, Ankaraja filloi një breshëri sulmesh ajrore, duke vrarë dhjetëra, duke përfshirë civilë, si dhe luftëtarë kurdë dhe trupa qeveritare siriane. Human Rights Ëatch ka paralajmëruar se sulmet po përkeqësojnë një krizë humanitare duke ndërprerë energjinë, karburantin dhe ndihmën shëndetësore.
Në zhvillimet më të fundit, zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Vershinin fluturoi në Turqi këtë javë për bisedime mbi situatën në Siri.
Çcfarë do Turqia
Turqia i sheh forcat kurde përgjatë kufirit të saj me Sirinë si një kërcënim dhe ka nisur tre inkursione të mëdha ushtarake që nga viti 2016, duke marrë nën kontroll një pjesë të madhe të territorit. Erdogan shpreson të zhvendosë shumë nga 3.6 milionë refugjatët sirianë në Turqi në Sirinë veriore dhe ka filluar të ndërtojë njësi banimi atje.
Plani mund të trajtojë ndjenjën në rritje kundër refugjatëve në Turqi dhe të forcojë mbështetjen e Erdoganit përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, ndërsa zbeh zonat historikisht me shumicë kurde duke rivendosur atje refugjatët sirianë jo-kurdë.
Erdogan ka shpallur gjithashtu planet për të krijuar një korridor sigurie prej 30 kilometrash (19 milje) në zonat aktualisht nën kontrollin kurd. Një pushtim i planifikuar turk në fillim të këtij viti u ndal në mes të kundërshtimit të SHBA-së dhe Rusisë.
Përgjigjia kurde
Grupet kurde po i bëjnë presion SHBA-së dhe Rusisë, të cilat të dyja kanë baza ushtarake në veri të Sirisë, për të parandaluar edhe një herë Turqinë që të zbatojë kërcënimet e saj. Kurdët janë të shqetësuar se Perëndimi do qëndrojë mënjanë këtë herë për të qetësuar Ankaranë në këmbim të miratimit të anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO.
“Kjo heshtje ndaj brutalitetit të Turqisë do nxisë Turqinë të kryejë një operacion tokësor.” – tha Badran Jia Kurd, zëvendësbashkëkryetar i Administratës Autonome të Sirisë Veriore dhe Lindore.
Grupet kurde, të cilat luftuan kundër grupit të Shtetit Islamik së bashku me një koalicion të udhëhequr nga SHBA-ja dhe tani ruajnë mijëra luftëtarë të kapur të IS-it dhe anëtarë të familjeve të tyre, paralajmërojnë se një përshkallëzim turk do kërcënonte përpjekjet për të zhdukur grupin ekstremist.
Në javët e fundit, zyrtarë nga SHBA-ja dhe Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët thanë se kishin ndaluar ose zvogëluar patrullimet e përbashkëta kundër IS për shkak të sulmeve ajrore, megjithëse patrullimet kanë rifilluar që atëherë.
Roli i kryengritësve sirianë
E ashtuquajtura Ushtria Kombëtare Siriane, një koalicion i grupeve të opozitës siriane të mbështetur nga Turqia me dhjetëra mijëra luftëtarë, ka të ngjarë të sigurojë këmbësorë për çdo ofensivë tokësore të ardhshme të Turqisë.
Në inkursionet e mëparshme, përfshirë ofensivën e vitit 2018 në qytetin e Afrinit, SNA u akuzua për kryerjen e mizorive kundër kurdëve dhe zhvendosjen e dhjetëra mijërave nga shtëpitë e tyre. Disa zyrtarë nga SNA nuk iu përgjigjën thirrjeve dhe mesazheve me tekst nga Associated Press. Një zyrtar që u përgjigj tha se ata ishin urdhëruar nga autoritetet turke që të mos flisnin për planet për një inkursion të ri.
Qëndrimi i qeverisë siriane
Qeveria siriane ka kundërshtuar inkursionet e kaluara turke, por gjithashtu e sheh SDF-në si një forcë secesioniste dhe një ‘kalë troje’ për SHBA-në, e cila ka vendosur sanksione paralizuese ndaj qeverisë së Bashar Asadit.
Damasku dhe Ankaraja kohët e fundit kanë lëvizur për të përmirësuar marrëdhëniet pas 11 vitesh tensioni të shkaktuar nga mbështetja e Turqisë për luftëtarët e opozitës në luftën civile të Sirisë. Damasku ka ruajtur relativisht heshtje për vrasjen e ushtarëve sirianë në sulmet e fundit turke.
A do përfshihet SHBA-ja?
Shtetet e Bashkuara mbajnë një prani të vogël ushtarake në veri të Sirisë, ku mbështetja e fortë e SDF-së ka zemëruar Turqinë. Megjithatë, SHBA-ja fillimisht reagoi zbehtë publikisht për sulmet ajrore turke, duke folur më me forcë vetëm pasi ato goditën rrezikshëm pranë trupave amerikane dhe çuan në ndalimin e përkohshëm të patrullave anti-IS.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin javën e kaluar shprehu ‘kundërshtim të fortë’ ndaj një ofensive të re. I pyetur nëse SHBA-ja kishte ndonjë garanci për kurdët e shqetësuar se SHBA mund t’i braktiste ata për të nxitur një marrëveshje të NATO-s nga Turqia, një zyrtar i lartë amerikan që foli në kushte anonimiteti tha vetëm se nuk kishte pasur ndryshime në politikën e SHBA-së në rajon.
A do ndërmjetësojë Rusia një marrëveshje?
Rusia është aleati më i afërt i qeverisë siriane. Përfshirja e saj në konfliktin e Sirisë ndihmoi ta kthente valën në favor të Asadit. Megjithëse Turqia dhe Rusia mbështesin palët rivale në konflikt, të dyja janë bashkërenduar ngushtë në veriun e Sirisë. Në muajt e fundit, Rusia ka shtyrë për një pajtim midis Damaskut dhe Ankarasë.
Moska ka shprehur shqetësime për veprimet e fundit ushtarake të Turqisë në Sirinë veriore dhe është përpjekur të ndërmjetësojë një marrëveshje. Sipas televizionit pan-arab Al-Mayadeen me bazë në Liban, shefi i forcave ruse në Siri, Gjeneral-lejtant Alexander Chaiko, së fundi i sugjeroi komandantit të SDF-së Mazloum Abdi që forcat qeveritare siriane të vendoseshin në një brez sigurie përgjatë kufirit me Turqinë. për të shmangur një inkursion turk.
Interesat e Iranit
Irani, një aleat kyç i qeverisë së Asadit, kundërshtoi fuqishëm planet turke për një ofensivë tokësore në fillim të këtij viti, por nuk ka komentuar publikisht mbi inkursionin e ri të mundshëm. Teherani gjithashtu ka një pakicë të konsiderueshme kurde dhe ka luftuar një kryengritje separatiste të nivelit të ulët për dekada. Irani është përballur së fundmi nga protesta të qëndrueshme që nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, një gruaje kurde, në paraburgimin e policisë së vendit në mesin e shtatorit.
Irani ka fajësuar për pjesën më të madhe të trazirave grupet e opozitës kurde të mërguar në Irakun fqinj, akuza që mohohen nga grupet dhe ka kryer sulme kundër tyre. Një tjetër inkursion turk në Siri mund të ofrojë një model për një përgjigje më të gjerë nëse trazirat në Kurdistanin e Iranit vazhdojnë të përshkallëzohen.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP