Vendosni fjalën kyçe....

Tensionet në Kovosë/ EULEX: Ndaj patrullës tonë në Rudare u hodh një shok-bombë


 

Përmes një njoftimi për mediet, EULEX ka deklaruar se është hedhur një bombë ndaj një patrulle vëzhguese të tyre në Rudare të Kosovës.

Për fat të mirë nga ky incident nuk njerëz të lënduar e as dëme materiale.

EULEX i konsideron të papranueshme këto sulme si ky por edhe sulmet e tjera ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe u bën apel të gjithëve të përmbahen nga veprimet provokuese.

“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale. 

Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar.

EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet.

Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë.”– thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Pas tensioneve në veri të vendit, sot është mbledhur Këshilli i Sigurisë në Kosovë.

Pas kësaj mbledhje Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë konferencë për media.