Vendosni fjalën kyçe....

U bënë tapë dhe u zunë, i riu plagos shokun dhe pastaj veten në fshatin Tapizë


Të shtëna me armë janë regjistruar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Tapizë në Fushë Krujë. Sipas Policisë, dy miq janë konfliktuar me njëri-tjetrin në gjendje të dehur në një lokal dhe njëri prej tyre ka plagosur shokun me armë zjarri e më pas edhe veten.

Të plagosurit thuhet se janë jashtë rrezikut për jetën.

“Dyshohet se në gjendje të dehur, shtetasi Xh. S., ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe në rrethana ende të paqarta, ka plagosur shtetasin L. C. (shok i tij) dhe më pas është vetëplagosur në dorë. Të dy shtetasit e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën.”– thotë Policia.

25-vjeçari Xhentil Sefa që dyshohet se qëlloi me armë është arrestuar, gjithashtu edhe pronari i lokalit Hygert Muja, 24-vjeç. Ky i fundit akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në pranga ka përfunduar dhe një 28-vjeçar me inicialet F.K., mik me personat e konfliktuar. Ai akuzohet për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”.

NJOFTIMI I POLICISË

Plagosi me armë zjarri, një shtetas (shok i tij) dhe më pas veten, vihet në pranga 25-vjeçari.

Në pranga edhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, për prishje të vendit të ngjarjes dhe fshehje të provave.

Arrestohet   edhe një shtetas tjetër (shok i shtetasve të plagosur),  për moskallëzim të krimit.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pistoletë me të cilën u krye plagosja.

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Krujë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xh. S., 25 vjeç, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak”.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi H. M., 24 vjeç, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi: F. K., 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë, rezulton se këta shtetas ishin ulur së bashku në të njëjtën tavolinë, në lokalin e shtetasit H. M., në Qerek Tapizë.

Dyshohet se në gjendje të dehur, shtetasi Xh. S., ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe në rrethana ende të paqarta, ka plagosur shtetasin L. C. (shok i tij) dhe më pas është vetëplagosur në dorë. Të dy shtetasit e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën.

Po nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi H. M., pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, ka fshehur armën e krimit, ka hequr gëzhojat nga vendngjarja dhe ka prishur vendin e ngjarjes.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.