Vendosni fjalën kyçe....

PD shpall fituesit e balotazhit në Primaret e PD-së në 5 bashki


Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike ka njoftuar përfundimin e procesit të balotazhit për primaret në 5 bashki.

 Në një deklaratë për mediet, anëtari i KOKOE Keltis Kruja lexoi emrat e fituesve në këto 5 bashki.

Kështu kandidatët që do të garojnë nga PD janë Albert Mëlyshi në Mirditë, Ismail Uka në Dibër, Skënder Gjuci në Mat, Shefki cota në Librazhd dhe Evdar Kodheli në Fier.

Keltis Kruja tha se interesi për balotazhin ka qenë më i lartë se në votimet e para, pasi ka patur më shumë votues.

“Interesi dhe pjesëmarrja në balotazh ka qenë më e lartë se në raundin e parë të primareve. Për këto 5 degë. Numri i votuesve ka qenë 248 votues më shumë se në garën e zhvilluar në raundin e parë, në datën 4 dhjetor 2022.

KOKOE falenderon çdo anëtar e simpatizant të degëve të mësipërme që edhe në kushte të rënduara atmosferike, besuan në procesin e Primareve e votuan në mënyrë masive në dy raunde.

Partia Demokratike falenderon të gjithë anëtarët, simpatizantët, drejtuesit e degëve, komisionerët, të gjithë ata që u angazhuan në këtë proces kaq të rëndësishëm dhe të sukseshëm për Partinë Demokratike.

Ne kemi vendosur kështu, për herë të parë në politikën shqiptare, standardin më të lartë të demokracisë, atë që anëtarët dhe simpatizantët vendosin per përfaqesuesin e tyre.”– tha anëtari i KOKOE-s.

Rezultatet dhe fituesit e garës:

  1. Mirditë:  880 votues, fitues është Albert Mëlyshi me 60% e votave;
  2.  Dibër:  1137 votues, fitues është Ismail Uka me vetëm 1 votë më shumë;
  3. Mat:  676 votues, fitues është Skënder Gjuci me 70.71%të votave;
  4. Librazhd:  659 votues, fitues është Shefki Cota me 63.3% e votave;
  5. Fier: 964 votues, fitues është Evdar Kodheli me 61.1% të numrit të votave;

TOTAL (5 degët): 4316 votues