Vendosni fjalën kyçe....

Mesazhi i ambasadores amerikane Kim: Kam 3 vjet në Shqipëri, do jem këtu për ca më gjatë


Ambasadorja amerikane Kim tha sot se do jetë edhe për ca kohë në Shqipëri.

Ajo e bëri pohimin gjatë një takimi për ecurinë e reformës në drejtësi.

Deklarata e saj vjen pak ditë pasi Minisria e Jashtme e Shqipërisë në një njoftim të pazakontë në Twitter shkruante se kishin nisur zyrtarisht procedurat për zëvendësimin e ambasadores amerikane në Tiranë Kim, së cilës i përfundon zyrtarisht mandati në janar 2023.

Në njoftim ministria bënte me dije se sqarimi bëhej për shkak të ‘interesimit të lartë të medias e për të shmangur çdo spekulim.’

Një ditë më parë, Kim u takua me kryeministrin Rama ku vlerësuan marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, bashkëpunimin në fushën e demokracisë, mbrojtjes e biznesit si dhe roli i Shqipëri në stabilitetin e rajonit.

“Vazhdoni të ecni sa më shpejt të mundeni. Kohë vendimtare për reformën në drejtësi dhe ka arsye për të qenë optimistë. Reforma në drejtësi po jep rezultate të dukshme, të prekshme, por e dini çfarë populli shqiptar do më shumë dhe SHBA-të janë në krahun e popullit shqiptar. Çelësi është që mbetemi të angazhuar ndaj synimit, në mënyrë serioze që ta dini që SHBA-të nuk do të ndalojnë, as ju nuk duhet. Partnerët europianë duan sukses aq sa duan dhe partnerët amerikanë. Unë kam 3 vjet në Shqipëri dhe do të jem këtu edhe për ca më gjatë. Por kjo është ajo që kam mësuar gjatë 3 viteve të mia këtu, ka një sfidë të madhe, kjo jo sepse Shqipëria është në mënyrë unikale e korruptuar, jo. Por ka histori dhe duhet të ndiejmë empati për historinë që ka ky vend. Ky është një vend i vogël, të gjithë njohin të gjithë të tjerët.” – tha Kim.