Vendosni fjalën kyçe....

I bëri atentat Dashamir Gjokës në Shijak në gusht 2017, ekstradohet nga Spanja 37-vjeçari


Në foto Dashamir Gjoka

Një 37-vjeçar i shpallur në kërkim për vrasje është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë.

Personi në fjalë është Enkel Kërtalli, i cili akuzohet se në gusht 2017 në Shijak, ka qëlluar me armë ndaj një mjeti që drejtohej nga Dashamir Gjoka.

Njoftimi

“I shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, ekstradohet nga Spanja drejt Shqipërisë, 37-vjeçari. Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët spanjollë, u ekstradua nga Spanja drejt Shqipërisë, shtetasi E. K., 37 vjeç.

Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin e datës 22.09.2017, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Shtetasi E. K., në gusht 2017, në Shijak, Durrës, në bashkëpunim me shtetasin M. B., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi D. Gj. Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.