Eurodeputetja greke Eva Kaili ka mohuar përfshirjen në skandalin e ryshfetit në Parlamentin Evropian që përfshin Katarin si vendi mikpritës i Kupës së Botës.
Ajo është një nga katër të dyshuarit e akuzuar, pasi hetuesit belgë gjetën 1.5 milion euro në dy shtëpi dhe një valixhe.
Siç shkruan BBC, eurodeputetët kanë votuar me 625 vota kundër një, për t’i hequr zonjës Kaili mandatin si një nga14 nënkryetarët.
Kryetarja e parlamentit Roberta Metsola ka folur për “ditë të vështira për demokracinë evropiane”.
Katari nga ana tjetër ka mohuar çdo akuzë.
“Eva Kaili deklaron pafajësinë e saj dhe se ajo nuk ka asnjë lidhje me ryshfet nga Katari.”– tha avokati i saj Michalis Dimitrakopoulos për TV grek të martën.
Prokurorët kryen një sërë kontrollesh gjatë disa ditëve dhe thanë se paratë me vlerë rreth 600 mijë euro ishin gjetur në shtëpinë e një të dyshuari, 150 mijë euro në banesën e një eurodeputeti dhe 750 mijë euro në një valixhe në një dhomë hoteli në Bruksel.
Policia belge publikoi një foto të martën ku shiheshin grumbuj kartëmonedhash në prerje 200 euro, 50 euro, 20 euro dhe 10 euro.
E pyetur nëse ishin gjetur para në banesën e zonjës Kaili, avokati i saj tha: “Nuk e di nëse janë gjetur para apo sa janë gjetur”.
Të dyshuarit e arrestuar nga policia belge janë akuzuar për “pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”. Ata do të dalin para një gjykate të mërkurën për t’u njohur me masën e sigurisë.
Tre të tjerët mendohet se janë të gjithë italianë, duke përfshirë Pier Antonio Panzeri, një ish-deputet italian, i cili tani drejton një grup për të drejtat e njeriut.
Akuzat kanë hedhur hije mbi rolin e grupeve lobuese në Parlamentin Evropian. Një rekomandim për të lejuar udhëtimin pa viza në BE për Katarin u vendos të votohet nga eurodeputetët këtë javë, por tani është anuluar.
Kërkimet janë bërë si në Itali ashtu edhe në Bruksel. Që nga e premtja, burimet e IT-së të 10 punonjësve të parlamentit janë “ngrirë” për të parandaluar zhdukjen e të dhënave të nevojshme për hetimin.
Parlamenti Europian votoi të martën me shumicë dërrmuese për heqjen e zonjës Kaili nga roli i saj si zëvendëspresidente.
Ajo është pezulluar gjithashtu nga Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në parlament dhe është përjashtuar nga partia e qendrës së majtë greke Pasok.
Autoritetet greke kanë ngrirë pasuritë që i përkasin asaj, bashkëshortit dhe familjarëve.
Aktivitetet e një kompanie pronash të ngritur rreth dy javë më parë nga eurodeputetja dhe bashkëshorti i saj në Athinë janë ngrirë gjithashtu.