Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Balluku: Po e kursyet energjinë elektrike, nuk do aplikohet fasha 800 kwh


Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë Belinda Balluku, njëkohësisht zv.kryeministre, ka folur në një deklaratë për mediet për situatën hidrike dhe fashën prej 800 kWh të çmimit të energjisë, të paralajmëruar se mund të vendoset.

Ajo tha se kemi një situatë të përmirësuar hidrike dhe kursim të energjisë nga konsumatorët.

“Pavarësisht se është vendosur nga enti rregullator një fashë e cila mund të futej në funksion kur të kishim vështirësi, nuk është vendosur kurrë dhe nuk është përdorur deri më sot. As për muajin shtator, as për muajin tetor, dhe as në muajin nëntor.

Situata herë pas herë është përmirësuar, kursimi në muajin shtator e tetor ka qenë një kursim i konsiderueshëm, i cili me të vërtetë na ka dhënë një dorë për të kaluar gjithë situatën e vështirë.

Në muajin tetor e kemi mbyllur me një kursim 7% në rang vendi, ndërsa nëntori është mbyllur me vetëm 2%. Unë dua të kërkoj që të vazhdojmë të kursejmë, sepse do jetë e vetmja mënyrë që mos të aplikojmë fashën 800 kwh. 2% është kursim i vogël që nuk na ndihmon që të vazhdojmë të mbajmë të njëjtën situatë energjetike dhe të ndihmojë çdo qytetar në vend.”- tha Balluku.

Ministrja gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve për të kursyer 5% energji në plan kombëtar.

“T’i kthehemi edhe njëherë praktikës së mirë që patëm gjatë muajit shtator dhe tetor. Është e domosdoshme që të kemi një target kombëtar prej 5% të paktën për kursim. Duhet pasur parasysh gjithashtu që planet tona për të ardhmen në energji janë plane të rëndësishme dhe agresive.” – u shpreh Balluku.

Ministrja tha se gjatë janarit dhe shkurtit do te fusin në prodhim dy anijet prodhuese të energjisë elektrike që tashmë janë të stacionuara Triport: “Gjatë muajit janar dhe shkurt do të fusim në punë dy anijet e prodhimit të energjisë elektrike që ndodhen në Triport (Vlorë)”.