Ambasada Amerikane ka shpërndarë një pjesë nga fjala e sotme e ambasadores Yuri Kim mbi situatën e drejtësisë në vendin tonë, ku mes të tjerash theksoi se do qëndronte edhe për ca kohë në vendin tonë, përkundër çfarë thuhet për përfundimin e mandatit të saj.
Në mesazhin e publikuar nga ambasada, Kim ndalet tek reforma në drejtësi që sipas saj po prodhon rezultate konkrete dhe të prekshme. Por thekson se nuk është koha për pushim dhe duhet bërë akoma më shumë.
“Reforma në drejtësi po prodhon rezultate reale, të prekshme, konkrete. Por e dini çfarë? Njerëzit duan më shumë. Dhe Shtetet e Bashkuara janë në krah të Shqipërisë sepse ne jemi në një mendje me ta. Duhet të ketë më shumë. Nuk është koha për të pushuar. Duhet të festojmë përparimin që kemi bërë së bashku deri tani. Së bashku. E kemi bërë së bashku. Disa herë ka qënë e vështirë. Nuk mendoj se ka pasur ndonjë rast kur ka qenë e lehtë. Ka pasur raste që janë bërë edhe gabime. Është proces njerëzor. Por është e rëndësishme që të qëndrojmë të përkushtuar ndaj qëllimit fundor. Serioz dhe të sinqertë, të dimë që Shtetet e Bashkuara nuk do të ndalojnë dhe as ju nuk duhet të ndaloni – që partnerët tuaj europianë duan që ju t’ia dilni, po aq sa edhe partnerët tuaj amerikanë duan – që ju mund t’ia dilni.” – tha ambasadorja e SHBA-ve në aktivitetin e Këshillit të lartë Gjyqësor “Drejt Ekselencës Gjyqësore”.
Ambasadorja Kim sot deklaroi se do të ishte edhe për ca kohë në Shqipëri, përkundër deklaratës së pak ditëve më parë nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë që shkruante se kishin nisur zyrtarisht procedurat për zëvendësimin e ambasadores pasi i përfundon zyrtarisht mandati në janar 2023.
“Jam këtu prej tre vitesh tashmë dhe do jem edhe për pak më gjatë sa kaq. Ja çfarë kam mësuar gjatë këtyre viteve. Është një sfidë e madhe këtu. Kjo nuk është sepse Shqipëria është veçanërisht e keqe, veçanërisht e korruptuar. Kjo është marrëzi. Ka histori këtu.”– shprehej sot Kim.
Që pas deklaratës nga Ministrja e Jashtme për përfundimin e mandatit të ambasadores Kim, nga kjo e fundit dhe rrjetet sociale të ambasadës ka patur shumë reagime mbi Reformën në Drejtësi, të cilat në rrethin politik e mediatik janë kuptuar si mesazhe për qeverinë shqiptare.
FJALA E PLOTË E AMBASADORES
Sot shënojmë arritjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Gjykatës së Lartë. Ripërtërijmë angazhimin tonë të përbashkët për një gjyqësor vërtet të pavarur që u shërben të gjithë qytetarëve të Shqipërisë me paanshmëri, efikasitet dhe drejtësi.
Siç unë e them shpesh, reforma në drejtësi nuk është e thjeshtë, e shpejtë apo e përsosur. Duhet të mundohemi vazhdimisht për përparim dhe rezultate të vërteta.
Duhet të jeni krenarë për arritjet tuaja. Keni vendosur standarde në drejtësinë shqiptare. Dhe shpresojmë, shumë shpejt, që do të plotësoni tre vendet e fundit në gjykatën e lartë, në mënyrë që ajo të bëjë drejtësi për qytetarët e Shqipërisë.
Me mbështetjen e East-West Management Institute, i cili është një partner zbatues me standarde të larta ndërkombëtare i financuar nga SHBA, keni krijuar Këshillin si institucionin kryesor për mbrojtjen e integritetit gjyqësor, promovimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe përmirësimin e efiçencë gjyqësore.
Dhe sigurisht, jemi krenarë që në partneritet me BE-në, mbështesim jo vetëm Këshillin e Lartë Gjyqësor, por të gjitha pjesët përbërëse të reformës në drejtësi. E dimë që reforma në drejtësi është e rëndësishme jo vetëm sepse përmbush një nga kërkesat e anëtarësimit në BE, por sepse është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar.
Shihni sa larg kemi arritur. Para 4 vitesh, Gjykata e Lartë kishte vetëm një gjyqtar. Por pasi Këshilli shqyrtoi dhe procesoi qindra aplikime, sot gjykata ka pothuaj anëtarësi të plotë. Na mungojnë vetëm tre gjyqtarë dhe shpresoj që ata tre do gjenden shumë shpejt.
Kur mbërrita në janar të vitit 2020 me dëshirë, krijueshmëri dhe vendosmëri ishte e mundur të kishim një gjykatë kushtetuese funksionale në fund të atij viti kalendarik. Na kanë ngelur vetëm dy javë nga viti 2022. Nuk do t’ia dalim, por shpresoj që brenda tremujorit të parë të 2023, Gjykata e Lartë do të ketë të gjithë anëtarët. Ka kaluar mjaft kohë. Duhet të bëjmë drejtësi për njerëzit. Duhet te gjejmë një mënyrë.
Unë e di që shqiptarët, ashtu si Amerika dhe si amerikanët, presin me padurim të shohin gjykatat të mbushura me gjyqtarë të cilët janë të trajnuar dhe të paanshëm, të aftë dhe që duan të japin drejtësi. Jo hakmarrje, drejtësi. Të dinë që kur ata të shkojnë në gjykatë do të jenë të barabartë para ligjit. Por, përsa u përket gjyqtarëve dhe prokurorëve, ata që vijnë para tyre janë njësoj, pavarësisht postit apo pushtetit, apo ndikimit.
Ata do ta dinë që do të marrin drejtësi në kohën e duhur. Prandaj është e rëndësishme për ne si Shtetet e Bashkuara që të mbështesim ekipin e nëpunësve për pakësimin e numrit të çështjeve të prapambetura, të cilët kanë nisur të bëjnë përparim në mijëra çështje të cilat kanë lënguar në gjykatë. Ne e kuptojmë plotësisht frustrimin e shqiptarëve. ‘’Nuk është e drejtë. Siç Martin Luther King Junior ka thënë, “Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar.” Le t’u japim njerëzve drejtësinë që ata meritojnë. Le të vazhdojmë të bëjmë përparim, madje jo vetëm të bëjmë përparim, por ta intensifikojmë progresin. Duhet ta ulim numrin e çështjeve të prapambetura në zero. Mund të bëhet. Ne do ju ndihmojmë dhe mund të bëhet. Pra, gjykata iu jep përparësi çështjeve më urgjente. Vazhdoni sa më shpejt të mundeni. Është kritike për reformën në drejtësi dhe ka arsye për të qenë optimistë për këtë brez të shqiptarëve.
Reforma në drejtësi po prodhon rezultate reale, të prekshme, konkrete. Por e dini çfarë? Njerëzit duan më shumë. Dhe Shtetet e Bashkuara janë në krah të Shqipërisë sepse ne jemi në një mendje me ta. Duhet të ketë më shumë. Nuk është koha për të pushuar. Duhet të festojmë përparimin që kemi bërë së bashku deri tani. Së bashku. E kemi bërë së bashku.
Disa herë ka qënë e vështirë. Nuk mendoj se ka pasur ndonjë rast kur ka qenë e lehtë. Ka pasur raste që janë bërë edhe gabime. Është proces njerëzor. Por është e rëndësishme që të qëndrojmë të përkushtuar ndaj qëllimit fundor. Serioz dhe të sinqertë, të dimë që Shtetet e Bashkuara nuk do të ndalojnë dhe as ju nuk duhet të ndaloni – që partnerët tuaj europianë duan që ju t’ia dilni, po aq sa edhe partnerët tuaj amerikanë duan – që ju mund t’ia dilni.
Jam këtu prej tre vitesh tashmë dhe do jem edhe për pak më gjatë sa kaq. Ja çfarë kam mësuar gjatë këtyre viteve. Është një sfidë e madhe këtu. Kjo nuk është sepse Shqipëria është veçanërisht e keqe, veçanërisht e korruptuar. Kjo është marrëzi. Ka histori këtu.
Duhet të kemi mirëkuptim dhe respekt për historinë përmes së cilës ky vend ka kaluar, për përvojën e shqiptarëve, për kufizimet, për sfidat me të cilat ky vend përballet. Është një vend i vogël. Të gjithë njihen me të gjithë. Vendimet rreth drejtësisë na ndikojnë të gjithëve në mënyra që mbase ndonjëhërë as nuk duam t’i pranojmë. Vendimet se kush do të jetë në çfarë posti. Kush mund të jetë shefi i këtij institucioni apo atij institucioni. Këto janë të gjitha të lidhura disi.
Por është koha për të thënë se Shqipëria është gati për fazën tjetër. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Shqipëria është anëtare e NATO-s tani që nga viti 2009. Në korrik, BE filloi zyrtarisht negociatat për hyrjen tuaj. Ju uleni pranë nesh – praktikisht pranë nesh – Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Jeni një zë i besuar dhe i respektuar për çështjet globale. Ka zhvillime strategjike që janë në prag të realizimit në vendin tuaj. Energjia. Transporti. Siguria. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në demokraci, mbrojtje dhe biznes. Investimet e SHBA në Shqipëri nuk kanë qenë kurrë më të mëdha. Investimet në biznes. Mund të ketë më shumë. Duhet të ketë më shumë. Por duhet të ketë drejtësi. Burrat dhe gratë në biznes duhet të dinë se kur vijnë dhe blejnë një pronë, ajo copë letre vlen diçka. Ata duhet të dinë se kur shkojnë në gjykatë kjo është një gjë e mirë, që gjykatësi do të japë një vendim që ka kuptim dhe që është në përputhje me ligjin, dhe jo në përputhje me atë që paguan më shumë apo ka kërcënuar më fort.
Kemi bërë përparim në mbrojtje gjithashtu. Për herë të parë në histori, ushtria e SHBA është vendosur në Shqipëri. Imagjinoni. A do ta kishit imagjinuar në 1991? A do e kishit imagjinuar në 1997? A do e kishit imagjinuar në ndonjë çast gjatë diktaturës së Enver Hoxhës? Ai është duke u rrotulluar në varr!
Kjo është e ardhmja, një Shqipëri që është si pjesa tjetër e Europës, që është Europë. Kjo është ajo që ne duam si Shtetet e Bashkuara dhe kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të investojmë në reformën në drejtësi. Ne besojmë dhe vazhdojmë të shtyjmë para. E di që ndonjëherë nuk ju pëlqen. E di. E di që ndonjëherë është e pakëndshme.
Ne jemi miqtë tuaj. Ne sinqerisht dëshirojmë që ju të jeni vendi më i mirë që mund të jeni. Ne dëshirojmë që ju të jeni partnerët tanë, të aftë, të fuqishëm dhe të pasur. Një vend që vendet e tjera do ta shikojnë dhe do të thonë, uau, ata ia dolën pavarësisht sfidave si një vend i vogël. Ata zgjodhën një rrugë të vështirë. Ata ecën në atë rrugë. Ata kishin një mik të mirë, disa miq të mirë. Ata ia dolën. Por ky është momenti që ne kemi bërë disa përparime së bashku. Tani nuk është koha për këtë. Tani nuk është koha për të thënë se kjo është e mjaftueshme. Tani është koha për të thënë të shtyjmë përpara, sepse e ardhmja jonë, brezi i ardhshëm i shqiptarëve, brezi i ardhshëm i amerikanëve, brezi i ardhshëm i europianëve ka besim te ju. Ne besojmë te ju.
Pra, le të përveshim mëngët së bashku. Le të rilidhemi. Le ta zvogëlojmë më tej numrin e çështjeve të prapambetura. Le të shtojmë ritmin. Le t’i vendosim ata gjyqtarë. Le të sigurohemi që vendimet që merren se kush do të jetë drejtues i këtij apo atij institucioni, kush bëhet prokuror, kush është aty, kush bëhet gjyqtar, kush vetohet, kush jo, si dalin vendimet – le të sigurohemi që ato vendime që marrim të na drejtojnë drejt së ardhmes, që të mos na mbajnë në vend, të mos na çojnë pas. Nuk mund të kthehemi prapa. Duhet të ecim përpara. Dhe kjo është koha për ta bërë atë.
Dua t’ju falënderoj të gjithëve. Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Gjykata e Lartë, gjykata në përbërje të plotë. Çdo institucion. Çdo anëtar. Institucioni i vettingut. Ju e keni bërë punën tuaj.
Le ta çojmë në nivelin tjetër. Është koha e duhur për të menduar për gjithçka që kemi bërë së bashku në vitet e fundit dhe për të menduar se ku duam të shkojmë në 2023. Janë gjithmonë njerëzit, gjithmonë përpara, gjithmonë bashkë. Faleminderit shumë!