Pasi Rusia t’i japë fund konfliktit në Ukrainë, asaj duhet t’i jepet një mundësi për të bërë sërish biznes me Gjermaninë, tha të hënën kancelari gjerman Olaf Scholz. Ai përsëriti se Moska nuk duhet dhe nuk do të fitojë, megjithatë.
Një qeveri ruse që i jep fund armiqësive ‘ka nevojë për një mundësi për të rifilluar bashkëpunimin ekonomik, në një kohë tjetër kur kjo të jetë e mundur,’ tha Scholz në Berlin në një takim të Komitetit Lindor për Biznesin Gjerman (OA), një shoqatë tregtare e përqendruar në marrëdhëniet me Europën Lindore.
“Për momentin, marrëdhëniet që kemi po zvogëlohen,” tha Scholz, sipas të përjavshmes Zeit. BE-ja po ‘shtrëngon sanksionet’ tani, por Rusia do mbetet vendi më i madh në kontinentin evropian pas zgjidhjes së konfliktit.
“Prandaj është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë përgatitjet për këtë kohë.”
Scholz e përshkroi konfliktin e tanishëm si një përpjekje të presidentit Vladimir Putin për të rikrijuar Perandorinë Ruse dhe se po shkatërron të ardhmen e vendit duke akuzuar Moskën për mizori kundër civilëve ukrainas.
Vendosmëria e Berlinit për të hequr dorë nga importet ruse të energjisë, e shtyrë kryesisht nga partnerët e koalicionit të Gjelbër të Scholz-it, krijoi telashe për Gjermaninë edhe përpara se furnizimet e gazit të ndërpriteshin nga sabotimi në tubacionet Nord Stream në shtator. Gjermanët tani po përpiqen të plotësojnë mungesat nga gjetkë, por pa sukses.
Në fillim të këtij muaji, ambasadorja e Gjermanisë në Uashington pranoi problemet ekonomike, por tha se ky ishte një çmim i vogël për të paguar për një ‘shndërrim të thellë’ të vendit të saj në një fuqi kontinentale të rimilitarizuar, më armiqësore ndaj Rusisë dhe më afër SHBA-së.