Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky kërkon nga Evropa 840 milionë dollarë ndihmë për të kaluar dimrin


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për 843 milionë dollarë ndihma për të mbështetur infrastrukturën kritike të vendit të tij këtë dimër.

Në një fjalim virtual në një konferencë në Paris, Zelensky tha se Ukraina kërkon infrastrukturë kritike elektrike, si dhe importe urgjente të energjisë elektrike nga vendet evropiane “të paktën deri në fund të sezonit të ngrohjes”.

“Kjo do të kushtojë rreth 800 milionë euro… por çmimi është më i vogël se kostoja e ndërprerjes së energjisë.”- u shpreh ai sipas CNN.

Rusia është akuzuar vazhdimisht se ka përdorur “dimrin si armë lufte” në Ukrainë në javët e fundit, duke goditur pamëshirshëm infrastrukturën kritike dhe duke lënë miliona ukrainas pa akses në energji elektrike, ujë dhe ngrohje.

46 vendet dhe 24 organizatat ndërkombëtare që u mblodhën në Paris të martën pritet të angazhohen për të ofruar mbështetje të menjëhershme për Ukrainën, duke u fokusuar në periudhën e dimrit.

Franca do të angazhojë 80.7 milionë dollarë shtesë ndihmë humanitare, sipas një deklarate nga zyra e Presidentit Emmanuel Macron, nga të cilat 51.1 milionë dollarë do të dedikohen për energjinë, aksesin në ujë, ushqim, shëndetësi dhe infrastrukturën e transportit, si dhe operacionet e çminimit.

Kjo do të përfshijë 63 gjeneratorë të rinj elektrikë me fuqi të lartë që do t’i ofrohen Ukrainës në të ardhmen shumë të afërt. Deri më tani, konferenca i ka mbledhur Ukrainës 421.6 milionë dollarë, dhe shifra pritet të rritet.