Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka publikuar sot përsëri mesazhe lidhur me SPAK dhe reformën në Drejtësi.
Në disa postime në “Twitter”, diplomatja amerikane thotë se drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme, që pritet të zgjidhet në ditët në vijim, duhet që “pa frikë e favore të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Dhe procesi nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes manipulimin e hetimeve.
Ambasadorja garanton se SHBA do ta monitorojë nga afër procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut.
“Gjatë javës së fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një kreu të ri të SPAK, i cili do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa frikë apo favore.
Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes të kufizojnë ose manipulojnë hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët e gjyqtarët duhet t’i trajtojnë të gjithë si të barabartë para ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE; është kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë.
Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë. Do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes për SPAK për t’u siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara.”– thuhet në postimet e ambasadores në Twitter.
1/4 Over the last week, we have met with every member of the High Prosecutorial Council (HPC) to underscore the importance of selecting a new chief of SPAK who – without fear or favor – will intensify the fight against corruption & organized crime.
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) December 14, 2022
Që pas deklaratës nga Ministrja e Jashtme për përfundimin e mandatit të ambasadores Kim, nga kjo e fundit dhe rrjetet sociale të ambasadës ka patur shumë reagime mbi Reformën në Drejtësi, të cilat në rrethin politik e mediatik janë kuptuar si mesazhe për qeverinë shqiptare.
Ditën e djeshme, ambasadorja Kim deklaroi se do të ishte edhe për ca kohë në Shqipëri, përkundër deklaratës së Ministrisë së Jashtme e Shqipërisë, që shkruante se kishin nisur zyrtarisht procedurat për zëvendësimin e ambasadores pasi i përfundon zyrtarisht mandati në janar 2023.
“Jam këtu prej tre vitesh tashmë dhe do jem edhe për pak më gjatë sa kaq. Ja çfarë kam mësuar gjatë këtyre viteve. Është një sfidë e madhe këtu. Kjo nuk është sepse Shqipëria është veçanërisht e keqe, veçanërisht e korruptuar. Kjo është marrëzi. Ka histori këtu.”– shprehej sot Kim.