Vendosni fjalën kyçe....

Biden nënshkruan ligjin për martesat e homoseksualëve


Presidenti amerikan Joe Biden ka nënshkruar legjislacionin historik që mbron martesat mes të njëjtit seks, dhe ato ndërracore.

Biden nënshkroi Aktin e Respektit për Martesën përpara mijëra të ftuarve në lëndinën e Jugut në Shtëpinë e Bardhë.

“Martesa është një propozim i thjeshtë. Kë do ti? Dhe a do të jesh besnik ndaj atij personi që do?”- tha Biden sipas CNN. “Nuk është më e komplikuar se kaq.”

Biden tha se ligji që ai do të firmoste njeh se “çdokush duhet të ketë të drejtën t’u përgjigjet atyre pyetjeve për veten e tij pa ndërhyrjen e qeverisë” dhe siguron “mbrojtjet që vijnë me martesën” federale.

Ligji i ri anulon zyrtarisht Aktin e Mbrojtjes së Martesës, i cili e përcaktonte martesën si midis një burri dhe një gruaje. Ky vendim i Bidenit kërkon që shtetet të respektojnë vlefshmërinë e licencave të martesës jashtë shtetit, duke përfshirë bashkimet e të njëjtit seks dhe bashkimet ndërracore.

Si senator, Biden votoi për Aktin e Mbrojtjes së Martesës në 1996. Nënshkrimi i projektligjit të martën arriti në kulmin e transformimit të tij për këtë çështje. Projektligji kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve me 39 republikanë që u bashkuan me demokratët, pasi kishte kaluar në Senat me 12 senatorë republikanë.