Vendosni fjalën kyçe....

BW publikon videon: Doganierët në Portin e Durrësit ia japin plumbçet shoferëve për të siguruar ngarkesën


Balkan Web ka publikuar një video nga dogana e Durrësit se si punonjësit lejojnë që shoferët të vendosin vetë plumbçet që mbyllin ngarkesën.

Në doganën e Durrësit plumbçet e sigurisë administrohen lirshëm nga subjektet private. Në një rast doganieri Ermir Hazizi i sektorit fizik të importet, i jep plumbçen subjektit dhe i merr paratë.

Doganieri i kontrollit fizik te importi Ermir Hazizi: E bardha është e jotja. Atë të verdhën ku e ke?

Qytetari: E ka shoferi.

Doganieri i kontrollit fizik te importi Ermir Hazizi: Dil te dritarja.

(Qytetari del jashtë te dritarja. Doganieri i jep letrat dhe plumbçen dhe i merr lekët)

Doganieri i kontrollit fizik te importi, Ermir Hazizi: Me përgjegjësi këto.

Qytetari: Po mo. Rrofsh!

Në çdo video vërtetohet fakti se plumbçet e sigurisë të cilat kanë një tarifë simbolike prej 80 lekësh, jepen kundrejt ryshfetit. Një zyrtari nuk i lejohet asnjëherë të marrë lek cash i veshur me uniformë, pasi duhet me mandat dhe pagesa në bankë.

Doganieri i kontrollit fizik te importi, Ermir Hazizi: Ule dorën, merri dhe ik!

Në video shihen se subjektet janë të lira të vendosin vete plumbçen e sigurisë si në import ashtu edhe në eksport kundrejt ryshfetit, ndërsa kontrolli fizik nga doganierët nuk ushtrohet.

Shoferi që vendos plumbçen: Ma jep pak pincën…

Pamjet tregojnë pastër se pasi shoferi vendos plumbçen, qytetari shkon te doganieri fizik i eksportit Gentjan Disha dhe i jep paratë. Në një video tjetër doganieri i fizikut te importi, Muharrem Shehu merr ryshfet për plumbçen e sigurisë.

Mungesa e këtyre plumbçeve në ngarkesat e mallit është vepër penale. Nuk është çështje vetëm kontrabande, pasi përmes një ngarkese të pavulosur mund të futen me mijëra mallra të ndaluar, që nga droga, armët dhe paratë e pista, deri tek lëndët radioaktive apo helmuese që mund të përdoren për qëllime terroriste. Në shumë raste të ngarkesave me kokainë te zbuluar pikërisht në portin e Durrësit, plumbçet e sigurisë ishin hequr.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e BalkanWeb