Një gomone me mbi 30 emigrantë është fundosur në Kanalin Anglez gjatë orëve të mëngjesit të sotëm.
Sipas BBC, një operacion i madh shpëtimi po zhvillohet në këto momente ndërsa frika se nga ky incident ka viktima është e madhe.
Reporteri i BBC-së Simon Jones tha se u kuptua se kishte të vdekur, por autoritetet nuk i kanë konfirmuar ato.
Operacioni i madh i kërkim-shpëtimit u nis në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar në kushte ngrirjeje pas raportimeve për një incident rreth orës 03:40 të mëngjesit. Rojet bregdetare, marina franceze dhe një ambulancë ajrore u dërguan në ndihmë. Një anije peshkimi, e cila ishte gjithashtu në zonë, ndihmoi në operacionin e shpëtimit, po ashtu dhe helikopterë të rojes bregdetare nga Lydd dhe Lee on Solent.
Shërbimi i Ambulancës në Bregun Juglindor tha se u thirr pas raportimeve të incidentit dhe dërgoi ekuipazhe në Dover, në Kent, për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit.
Qeveria tha se ishte në dijeni të incidentit dhe agjencitë po mbështesnin operacionin.
Një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tha: “Ne jemi në dijeni të një incidenti në ujërat e MB dhe të gjitha agjencitë përkatëse po mbështesin një përgjigje të koordinuar. Detaje të mëtejshme do të jepen në kohën e duhur.”
Incidenti ndodhi disa orë pasi kryeministri britanik Rishi Sunak premtoi të aplikojë ligje të reja për të ndaluar imigracionin e paligjshëm.